“BOHEMIAN RAPSODY” THYEN REKORDIN/ Bëhet kënga më e transmetuar e shekullit XX – AlpeGossip
“BOHEMIAN RAPSODY” THYEN REKORDIN/ Bëhet kënga më e transmetuar e shekullit XX

“BOHEMIAN RAPSODY” THYEN REKORDIN/ Bëhet kënga më e transmetuar e shekullit XX

Ndërsa adhuruesit e grupit “Queen” po ndjekin me interes të jashtëzakonshëm filmin biografik të liderit Freddie Mercury, “Bohemian Rapsody”, ka një lajm të ri për këngën me të njëjtin titull.

E lançuar në vitin 1975, kjo këngë ka thyer çdo rekord duke u bërë kënga më e transmetuar e shekullit XX. “Bohemian Rapsody” ka lënë pas “Smells like teen spirit” e grupit “Nirvana”, që e mbante këtë rekord deri para disa ditësh. Është e kuptueshme që suksesi i filmit ka pasur ndikimin e tij në ngjitjen e këngës në krye të listës.

“Bohemian Rapsody” ka mbledhur mbi 1.6 miliardë klikime në platformat si Youtube dhe Spotify. Kitaristi i grupit Queen, Brian May, është shprehur entuziast për këtë sukses të ri pas shumë vitesh. “Unë di që lumi i muzikës rrok ishte shndërruar në përrenj të vegjël. Jam shumë i lumtur që muzika jonë rrjedh sërish me maksimumin e furisë”, ka thënë ai.

Ndërsa Lucian Grainge, drejtues i Universal Music Group, që ka menaxhuar grupin, thotë se “kjo është një arritje e pabesueshme që dëshmon shkëlqimin e përjetshëm të grupit”.

Kur u lançua për herë të parë në vitin 1975, “Bohemian Rapsody” qëndroi për nëntë javë rresht në krye të klasifikimit muzikor britanik, UK Single Chart, dhe kishte shitur mbi 1 milion kopje deri në fund të janarit të vitit pasardhës.

Kënga ka njohur një ngjitje të dytë në fund të vitit 1991, kur vokalisti Freddy Mercury u nda nga jeta. Po ashtu, Bohemian Rapsody është e treta në listën e këngëve single më të shitura në historinë e Britanisë, me 2.5 milionë kopje.