“I PËRKUSHTUAR NDAJ ARTIT”/ Petro Xhori: Pa muzikë s’ka jetë – AlpeGossip
“I PËRKUSHTUAR NDAJ ARTIT”/ Petro Xhori: Pa muzikë s’ka jetë

“I PËRKUSHTUAR NDAJ ARTIT”/ Petro Xhori: Pa muzikë s’ka jetë

Petro Xhori u bë i njohur për publikun shqiptar në vitin 2012 kur mori pjesë për herë të parë në ‘X Factor Albania 2’, ndërkohë që ka mbi 10 vite që i është përkushtuar një arti kaq të dashur sa kënga. Ka rënë shpejt në sy për timbrin e veçantë të zërit dhe për baladat e mrekullueshme që kanë marrë pëlqimin e menjëhershëm të fansave që në momentet e para të publikimeve të tyre. S’ishte zgjedhja e tij është shprehur Petro në këtë intervistë që të shfaqej me balada, por ato ishin produktet e para të servirura dhe pse jo kur sot shohim çdo ditë që preferohen më së shumti në krahasim nga projektet e tjera. I përket zhanrit të muzikës Pop dhe deri më tani numëron plot 4 këngë në repertorin e tij dhe 8 videoklipe. Këngët e tij ia ka besuar tashmë mikut të tij prej vitesh Irkenc Hykës të cilin Petro e falënderon përzemërsisht për muzikën dhe tekstet e realizuara me të. Në këtë intervistë ai u shpreh rreth karrierës së tij, rrugën që ka përshkruar për të arritur deri sot këtu, çfarë është muzika për të etj.

Intervistoi: Ada Kacmoli

Pse zgjodhët të merreshit me muzikë?

Nuk zgjodha të merresha me muzikë, por si të thuash linda me atë pasion që i vogël dhe vazhdova me talentin që më fali Zoti.

A mund ta quajmë tashmë profesionin tuaj përfundimtar këtë lloj arti, pra muzikën?

Siç thashë edhe më lart duke qenë se që në moshë të vogël jam marrë me muzikë, këtë rrugë besoj që do ndjek deri sa të mundem, sepse nuk e quaj thjesht profesion është diçka që e dua shumë kur e bëj.

Si jeni ju pa kamera pa rrjete sociale? Që do të thotë na përshkruani pak veten në atë pjesë të ditës ku jeni thjesht vetvetja…

Pa kamera dhe me kamera jam një njeri shumë i thjeshtë mendoj.
Dita ime nis me një kafe dhe vazhdimi pastaj është në studio në shumicën e kohës.
Në “Unix Production“ jemi si një familje e madhe.

Çfarë është muzika për ju?

Muzika për mua është gjithçka. E besoj me të vërtetë kur e them që pa muzikë s’ka jetë dhe se shumë gjëra do dukeshin shumë bosh pa të.

Me kë nga kolegët e estradës keni më shumë marrëdhënie të mira dhe pse?

Përgjithësisht me shumë kolegë të estradës kam marrëdhënie të mira, pasi na ka lidhur puna ndër vite.

Me çfarë nuk do kishe guximin të përballeshe?

Më beso që për të arritur këtu ku jam sot ka qenë shumë e vështirë kështu që nuk mendoj që jam ai lloj njeriu që kam frikë të përballem me diçka.
Jeta gjithmonë të sprovon. I fortë është ai njeri që i kalon ato sfida.

Kënga me titull “1 Gotë Dashni” ka arritur një shifër të konsiderueshme të klikimeve dhe mjaft urime për këtë gjë. Nga ana tjetër ky bashkëpunim vjen me Olsi Bylykun dhe teksti gjithashtu është i të dyve ju. Kush i jep jetë dhe pastaj e vret Petron, pjesë kjo e shkëputur nga kënga?

Po e vërtetë ishte një bashkëpunim goxha i mirë duke qenë se dhe Olsi është shumë i talentuar. Për sa i përket pyetjes tjetër do t’i përgjigjem kështu ……. Hahahaaha.

A janë të bazuara në realitetin tuaj të përditshëm tekstet e këngëve që posedoni?

Do thoja që tekstet e mia nuk janë të bazuara vetëm nga realiteti im, është realiteti i të gjithëve.

Kush ia ka thyer zemrën Petros që po zgjidhni rrugën e baladave?

Shyqyr deri tani nuk kam zgjedhur rrugën e baladave, sepse më ka thyer zemrën dikush, thjesht mendoj se aty jap më shumë dhe materialet e para ashtu erdhën.

Çfarë rrymash, tekstesh preferon publiku shqiptar?

Jemi një popull që dëgjojmë shumë rryma muzikore por duke qenë se jemi pjesë e Ballkanit mendoj se këngët me ritme ballkanike vlejnë më shumë te ne.

Çfarë marrëdhënieje keni me Irkenc Hykën? Kemi parë që postoni shpesh me të në rrjete sociale foto dhe video të ndryshme? A është ai miku i zemrës nëse mund ta themi kështu duke qenë se edhe të gjitha këngët janë realizuar nga ai?

Me Irkencin njihemi që prej 10 vitesh dhe kemi vazhduar muzikën që në atë kohë së bashku dhe me Dj JoJo-n. Përveçse një këngëtar dhe producent shumë i talentuar është edhe një shok për kokë i themi ne. Gjej rastin dhe e falënderoj për punën e bërë te të gjitha këngët. “Unix Production” nuk jemi thjesht një logo është më shumë se kaq, është familja e dytë.

Në një marrëdhënie çfarëdo cila gjë do t’i jepte fund asaj? (Miqësi apo një lidhje qoftë ajo).

Një marrëdhënie do merrte fund nga shumë gjëra, por që gjëja më kryesore mendoj janë gënjeshtrat dhe mënyra sesi sillemi.

Cilat janë projektet tuaja të radhës nëse mund të na thoni ndonjë gjë? Do t’ju shohim sërish me ndonjë baladë?

Projektin e radhës më beso që edhe unë po e kërkoj shumë, por për momentin s’kam ndonjë gjë gati që t’ju jap një përgjigje. Një gjë është e sigurt, nuk do jetë baladë këtë herë.