Njihuni me Flamurin nga Durrësi: Si ndërtova karrierë të hekurt në karrige me rrota – AlpeGossip
Njihuni me Flamurin nga Durrësi: Si ndërtova karrierë të hekurt në karrige me rrota

Njihuni me Flamurin nga Durrësi: Si ndërtova karrierë të hekurt në karrige me rrota

Flamur Bala e ka ngritur zërin gjithmonë për çdo problem për një jetesë më të mirë, së fundmi ka kërkuar vendosjen e rampave në Durrës, pengesë kjo mjaft e rrezikshme për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara. Gjatë një interviste ai tregon se ndërsa lëviz me motorin e tij elektrik, çdo ditë pengohet për shkak se rampot nuk ekzistojnë në 80% të rrugëve të qytetit. Bashkia e Durrësit ka reaguar, por punimet s’po kryhen në intensitetin e duhur, thotë Flamuri.
Historia e tij ka të papritura. Jeta i mori kthesë 360 gradë kur u diagnostifikua me “distrofi muskulare becker”, e cila në moshën 15 vjeçare e detyroi të ulej në një karrige me rrota. “Në moshën 18 – 19 vjeçare m’u desh ta pranoja që rrotat do jenë këmbët e mia, dhe i thashë vetes ejjj djalosh ndalu ti nuk mundesh më, duhet të ulesh por pavarësisht ti do jesh i ngritur gjithmonë shpirtërisht paçka asaj fizikisht”, që nga ky moment filloi të pranojë veten, e me kalimin e kohës të ndërtojë një jetë të stabilizuar.

Pasionin për mekanikën e ka pasur që në fëmijëri, tashmë prej vitesh modifikon makina për persona me aftësi të kufizuara, i shtyrë fillimisht nga nevoja personale. Puna që bën vlerësohet nga mijëra vetë dhe kjo e motivon të ecë përpara.

Për t’u theksuar është fakti se Flamuri reflektoi shumë cilësi pozitive, mbi të gjitha duket një djalë i lexuar.

Pjesë nga intervista për pozitivi.org me Flamur Bala:

Flamur së fundmi ke shfaqur në media problemin e mungesës se rampave në Durrës, ku kërkon të ngrihen 150 të tilla. Sa e ke ndjerë mungesën e tyre ti personalisht, dhe a ke marrë përgjigje nga autoritetet për një zgjidhje?

Flamur Bala: Në qytetin e Durrësit unë kam ngritur zërin gjithmonë për gjithçka çfarë i përket jetesës dhe infrastukturës më të mirë të mundshme. Por duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit tim, duke parë problematikat hasa në vështirësi “Infrastrukturore/Arkitektonike” kur lëviz me motorrin tim elektrik që është për ne personat me aftësi ndryshe fizike, problemi që unë pengohem çdo ditë janë “Rampot” në trotuare që nuk egzistojnë në 80% prej tyre, pra theksoj çdo trotuar duhet të ketë pjerrtësi në fillim dhe mbarim të trotuarit, pasi qytetarët me “AK” dhe të moshuar, apo dhe nënat me foshnje të sapolindura të kalojnë lirshëm me mjetet e tyre lëvizëse, unë dua që të bëhen mbi 500 rampa “minimumi !” Vështirësia është e madhe, Bashkia e Durrësit ka reaguar pas ankesave të mia në media dhe emisionet më prestigjoze të vendit, por reagimet dhe punimet nga bashkia, nuk janë aq të mëdha sa ç’prisja.

Çfarë problemesh tjera hasin personat me aftësi të kufizuara fizike në komunitetin ku jeton, pse ke zgjedhur ti të bëhesh vazhdimisht zëri i tyre?

Flamur Bala: Shiko problemet në fakt janë të ndryshme, si për shembull; mjetet lëvizëse urbanët e qytetit nuk kanë “rampo” intitucionet nuk kanë, poliklinika e qytetit ku ne bëjmë kontrolle, paraqitje dokumetacionesh për diagnozën përkatëse nuk është e përshtatshme nuk ka as ashensor, vizitat ne i lejmë pa bërë shumicën prej tyre, sepse mbi katin zero ne nuk ngjitemi dot me lart nga pengesa e shkallëve etj. Kam zgjedhur të jem zëri i tyre sepse halli im është halli i çdo bashkëqytetari me aftësi ndryshe fizike, ose jo.

Ndalojmë pak te historia jote. U diagnostifikove me distrofi muskulare, prej së cilës je përballur me shumë vështirësi. A mendon se tashmë ke një jetë të stabilizuar?

Flamur Bala: Po unë u diagnostifikova me “distrofi muskulare becker” dhe jeta ime mori një kthesë 360 gradë, m’u desh ta përgatisja veten që unë do kisha pengesa ndryshe nga njerëzit e tjerë, që duhet ti merrja përpara. Falë Zotit të madh ia arrita t’i kaloja pengesat dhe ta pranoja fatin siç jeta ma dha, por Zoti më mori mundësinë për të ecur, por më dha 1001 të mira dhe jeta ime është pjesërisht e stabilizuar jam i kënaqur.

Çfarë të është dashur të bësh që të arrish të ndërtosh një jetë të stabilizuar, atë që ke tani?

Flamur Bala: Që të arrija të ndërtoja jetën time disi të stabilizuar, mu desh të pranoja veten time në rradhë të parë, të lidhesha fort me familjen dhe shoqërinë që pa ata jeta ime nuk ka kuptim, mu desh shumë forca dhe sakrifica por vullneti kurrë nuk më ka tradhëtuar e braktisur.

Në mos gaboj deri në moshën 15 vjeçare ke ecur normalisht, pastaj je ulur në karrocë me rrota. Më përshkruaj pak momentet e para kur gjithçka ndryshoi, dhe çdo gjë duhej ta bëje në një karrocë me rrota?

Flamur Bala: Po e saktë kam ecur mirë deri në moshën 15 vjeçare, por problemin fizik e kam pasur që në lindje. Në moshën 18 – 19 m’u desh ta pranoja që rrotat do jenë këmbët e mia, dhe i thashë vetes ejjj djalosh ndalu ti nuk mundesh më, duhet të ulesh por pavarësisht ti do jesh i ngritur gjithmonë shpirtërisht paçka asaj fizikisht. Unë bazohem fort te ajo shprehja “rrota shpikja më e madhe e njerëzimit” ndaj jeta vazhdon…

Pasionin për mekanikën kur e ke zbuluar dhe cilat kanë qenë shpikjet e para ose modifikimet e para që ke bërë? Çfarë të shtyu të vazhdosh ta bësh një gjë të tillë?

Flamur Bala: Pasioni im erdhi që i vogël dhe kur blemë makinën e parë në familje, një tip “Audi 80” më vonë blemë dhe një Audi tjetër si i pari dhe i këmbeja pjesët i ndërroja të prishurit për të ndrequrin, pas disa vitesh bleva një makinë tjetër “Fiat Scudo” tip furgoni i vogël, dhe bëra shpikjen më të madhe dhe të veçantë, isha vetëm 17 vjeç dhe bëra një rampo elektrike për makinën time, ajo paisje shërben për t’u ngjitur brenda në makinë bashkë me karrocën elektrike dhe mekanike, më vonë fillova duke modifikuar makina me kambio automatike, duke i përshtatur gazin dhe frenat te dora, që personat me aftësi ndryshe fizike, ti komandojnë makinat e tyre me duar pasi me këmbë e kanë të pamundur. Më shtyu nevoja personale si fillim, pastaj kam kaluar në pasion, gjithçka e kam të shpikur pa kopjuar askund, madje punimet e para i kam filluar kur nuk përdorja as internetin fare!

“Kur bën një punë dhe vlerësohet nga mijëra vetë, të motivon të vazhdosh përpara”, kështu je shprehur në media sociale. Gjithë këto vite që ke modifikuar makina për persona me aftësi të kufizuara, çfarë kënaqësie ke marrë në këmbim? Si reagojnë njerëzit pasi marrin makinën e modifikuar?

Flamur Bala: Po kështu jam shprehur e saktë ! Njerëzit që kanë sjellur makinat te unë janë ndjerë mirë sepse arma ime e afrimitetit me klientët është komunikimi, transparenca, kultura, dashamirësia, dhe cilësia mbi të gjitha sepse dua që atyre puna ime t’iu duket si e fabrikës. Kënaqësia ime është e mahnitshme, madje kur modifikoj makina kënaqësinë e përjetoj si atë puthjen e parë me femrën e parë që kam dashur. Njerëzit reagojnë mirë sepse gjatë gjithe kohës që jam duke punuar në makinën e tyre i pyes për gjithçka në telefon, për ngjyrat e bojërave që i bëj levat te duart, e deri te elementet më të vogla që atyre t’iu përshtatet mrekullueshëm, pas gjithë këtyre cilësive besoj se e morët përgjigjen e duhur si ndjehen ata, normal që tepër mirë.

Sa mundësi kanë personat me aftësi të kufizuara të bëjnë modifikime, dhe a je ti i vetmi në Shqipëri që e bën një gjë të tillë?

Flamur Bala: Kanë mundësi dhe të tjerët, por askush si unë, këtë se them nga mendjemadhësia, por sepse unë i shpik nga zero gjithçka, të tjerët i blejnë dhe nuk bëjnë çdo lloj makine, ndërsa unë bëj çdo makinë dhe zgjidh çdo problem spefik që personat “Ak” kërkojnë unë i studioj dhe diagnozat e tyre dhe iu them që munden apo nuk munden t’i japin makinës. Çmimin e kam më të lirë se kushdo në Shqipëri, kush e bën më lirë thjesht ka bërë diçka të shëmtuar, më falni për shprehjen./Intervista e plotë këtu.