Elton Ilirjani, homoseksuali me këmbë në tokë që nuk bën viktimën. Por as nuk rreh gjoksin – AlpeGossip
Elton Ilirjani, homoseksuali me këmbë në tokë që nuk bën viktimën. Por as nuk rreh gjoksin

Elton Ilirjani, homoseksuali me këmbë në tokë që nuk bën viktimën. Por as nuk rreh gjoksin

Elton Ilirjani është një homoseksual me këmbë në tokë. Që nuk shikon në ëndërr përralla me mbret e me martesë. Nuk tregon as histori tmerri me përndjekje e homofobi. Siç shumë të tjerë, pjesë e shoqatës LGBTI kanë bërë. Nuk merr as mundimin të na ndryshojë mendjen e as rreh gjoksin për të thënë shihni ç`po bëj e ç`jam unë. Krejt ndryshe nga gjithë të tjerët që kemi parë deri tani. Nuk bëri në asnjë moment viktimën. E tregoi si diçka normale të jetës së tij. Edhe atëherë kur kishte pasur përballje me njerëzit tha: “Unë s`e kam prishur kurrë gjumin e natës. E di pse? Se kam qenë rehat me veten”.

 

Sipërmarrësi e tregoi hapur orientimin e tij seksual, vitin e shkuar në 17 maj dhe sot te Rudina rrëfeu gjerë e gjatë gjithë sfidat me të cilat është përballur. Eltoni tregoi se i ati e mori vesh historinë e një letre që ai i kishte dërguar një djali dhe kur e pyeti se ç`ishte ajo punë, iu përgjigj hapur. “Ai u trondit, me të drejtë, se s`mund të them që iu bë qejfi. Ama ishte mendjehapur, më tha vetëm që ke zgjedhur një rrugë shumë të vështirë këtu në Shqipëri”. Mirëpo Eltoni e kishte ndarë mendjen, do dilte hapur që të jetonte jetën e tij e mos ta vriste atë që kishte brenda vetes. Ashtu bëri. “E kam pranuar që në vitin 1991. Nuk doja të martohesha me ndonjë vajzë për hir të opinionit. Të fshihesha gjithë jetën. E t`i shkatërroja jetën asaj”, tregoi gjatë bisedës.

E ashtu si të jashtmit, nuk mbajti asnjë rezervë. Kur Rudina e pyeti nëse e kishte menduar ndonjëherë martesën ose birësimin e një fëmije, ai tha: “Kjo është një deklaratë e fortë. Shoqata do të më dalë kundër, por unë nuk besoj fare te martesa mes homoseksualëve. Nuk besoj te martesa në përgjithësi, megjithatë, aq më pak te dy vajza apo dy djem që duan të rrisin një fëmijë”.

Eltoni e tregoi edhe se sa të vështirë e kishte pasur pas 17 majit të vjetshëm kur të gjithë i thoshin: “Ç`ne ti që e deklarove? Ne e dinim, por e mbaje të fshehtë. Ti nuk je si ata ordinerët që janë punonjës seksi”. Po Eltoni e kishte ndarë mendjen. Opinioni i masës rreth homoseksualëve duhet të ndryshojë. Ata nuk janë të gjithë njësoj. Ka edhe biznesmenë, profesionistë e njerëz në karrierë. Vetëm se jo të gjithë e kanë guximin të dalin hapur.