“DHURO KOHË, RRËMBE BUZËQESHJEN”/ Rezart Veleshnja në “versionin” serioz, me mision për të miturit në…(FOTO) – AlpeGossip
“DHURO KOHË, RRËMBE BUZËQESHJEN”/ Rezart Veleshnja në “versionin” serioz, me mision për të miturit në…(FOTO)

“DHURO KOHË, RRËMBE BUZËQESHJEN”/ Rezart Veleshnja në “versionin” serioz, me mision për të miturit në…(FOTO)

Emocionet e të rinjve që studiojnë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës kishin nisur qysh një ditë përpara.
Të përgatitur dhe me libra në duar i pamë të afroheshin në hyrjen e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nga ku do të bëhej nisja për aktivitetin e radhës, të ciklit “Dhuro Kohë, Rrëmbe Buzëqeshje”!

Ndalesa u bë në qytetin e Kavajës dhe pikërisht në “Institutin e të Miturve”, nën varësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Disa prej tyre i gjetëm në orën e mësimit : gjuhë shqipe, tema ”sintaksë”. “Më pëlqejnë më shumë lëndët shkencore. Ja ku e kam dhe fletoren e matematikës, ja dhe këtë të kimisë. E di sa faqe shkruaj unë në një orë? 5 faqe plot!” – do më mburrej njëri nga djemtë, madje ai që dukej si më ‘harrakati’. Të tjerët ishin zhytur brenda botës së tyre, në këndin e muzikës, duke luajtur në kitarë. Kurse të tjerët të përkushtuar për të fituar një zanat, brenda një jave merrnin leksione në disa kurse paralelisht : zdrukthari, instalime elektrike, saldim, mekanik automjetesh etj. “Shumë shpejt do dal prej këtej dhe do filloj punë. Më pëlqen shumë punimi i drurit, edhe këtë shqiponjën unë e kam bërë” – do më përgjigjej me zë të dridhur, duke më treguar tërthorazi se duhet ta lija të qetë, meqë nuk ia thotë shumë për fjalë.

Prezenca e aktorit të mirënjohur, Rezart Veleshnja ishte surpriza, që i dha gjallëri këtij aktiviteti . Edhe pse interpretuesi i dhjetra roleve në spektaklin e humorit “Portokalli” nuk e pranoi kurrsesi protagonizmin mes këtyre të rinjve, ata e pritën me ovacione. “Po ku je mor plak?” – do i thërriste nga larg njëri prej tyre, që si më të preferuarin nga Rezi veconte rolin tek “Zona e Brrylit”. Pas barcaletave, radha i erdhi këshillave drejtuar të rinjve, të cilët edhe pse me liri të kufizuar kanë në dorë ta ndryshojnë për mirë jetën e tyre.

Zv. drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z.Lefter Maliqi i njohu të rinjtë me politikat e shtetit shqiptar për integrimin dhe rehabilitimin e kësaj kategorie në shoqëri, pas përfundimit të periudhës së burgimit. Ndërsa studentët e Drejtësisë realizuan një bisedë të ngrohtë, me tematikë letrare. “Më pëlqen shumë zhanri autobiografik. Madje, cdo libër të tillë e lexoj katër – pesë herë” – do shprehej një nga djemtë me liri të kufizuar, që ushqente këtë pasion.

Dëgjuam një zile ndërkohë, e cila njofton për orarin e drekës…kështu të ftuarit u përshëndetën me të rinjtë, duke u larguar me një shije të ëmbël. “Këtu mungojnë vetëm telefonat e zgjuar të epokës dixhitale, ndërsa vullneti për të mësuar, për të ushtruar pasionet individuale apo për ta ushqyer shpirtin me letërsi dhe ëndrra rinore janë absolutisht prezente” – do të shprehej Lorena Haxhiu, drejtoresha e Shërbimit Kombëtar për Rininë.

Me kaq sa ju përshkruam, a e kuptuat ngjyrën mbizotëruese brenda këtij ambjenti? Themi se është e gjelbra, ajo ngjyrë e shpresës, ajo ngjyrë e semaforit që të lejon të ecësh përpara…