”I KAM FALUR”/ Estela Ujka rrëfen për dhunën në familje – AlpeGossip
”I KAM FALUR”/ Estela Ujka rrëfen për dhunën në familje

”I KAM FALUR”/ Estela Ujka rrëfen për dhunën në familje

E pranishme në shfaqjen e organizuar nga ORAT, një rrjet për fuqizimin e vajzave dhe grave në Shqipëri, të mbajtur në arTurbina, Estela Ujka rrëfeu për jetën e saj, duke e nisur nga fëmijëria, për t’u ndalur te karriera e në fund martesa.

E rritur në një familje ku nëna kish qenë e persekutuar, ndërsa i ati një njeri i shkolluar me dy fakultete, Estela tregoi se në të kaluarën ka përjetuar edhe dhunë në familje. “Babai ishte autoritar, më dominant dhe duhet të kishte gjithnjë të drejtë,” tha ajo. “Në këtë ambient u rritëm, me një mama shumë të dashur, të përkushtuar dhe shtëpiake dhe me një baba më në pozitë që duhet të kishte gjithnjë të drejtë kur fliste.”

Në vijim, ajo u ndal edhe te historia e dashurisë me bashkëshortin, 15 vite më të madh, me të cilin ka tre vajza.

“Ndodhi që u dashurova, me njeriun, atëherë, të gabuar për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ishte i martuar,” tha ajo referuar faktit se bashkëshorti kishte pasur një martesë të përfunduar, përpara se të lidhej me Ujkën.

“Për ta ishte fundi i botës. Sigurisht që i dhanë zgjidhjen më të gabuar të mundshme. Gjetën një burrë tjetër. Sigurisht që pati edhe momente dhune; unë i kam falur dhe i dua njësoj se e di që thellë-thellë për të mirën time janë munduar, pavarësisht se forma ishte e gabuar. Duhet të më kishin dëgjuar, siç dëgjoj unë vajzat e mia.”

“Sot, zgjedhja ime, në dukje e gabuar, është babai i tre vajzave të mia, ai me të cilin kam ndërtuar jetën. E dua dhe vazhdon të më dojë njësoj. Nuk është ai monstra që mendonin prindërit e mi,” përfundoi blogerja, e cila këshilloi të pranishmet në sallë që të mos kenë frikë të jenë vetvetja dhe të shkojnë përjet barrierave që i pengojnë.

Nuk është hera e parë që Estela flet hapur për dashurinë. Tre vite më parë, ajo u shpreh për Revista Class:

“Historia jonë e dashurisë filloi si sfidë e lojë, derisa ramë të dy brenda dhe kuptuam që dashuria jonë, ishte e pamundur. Lenci vinte nga një martesë e përfunduar dhe familja ime nuk e pranonte kurrë zgjedhjen time. Kështu që e vetmja rrugë ishte të arratiseshim. Muaji ynë i mjaltit ishte në Petrelë, të fshehur nga gjithë bota me një oxhak, të cilin nuk dinim as ta përdornim.”

https://www.instagram.com/tv/B3wjJpYgeRb/?utm_source=ig_web_copy_link