Xheni Karaj: Do më duhej të rishpikja gjuhën, për të shpjeguar se si dashurohen femrat me njëra-tjetrën – AlpeGossip
Xheni Karaj: Do më duhej të rishpikja gjuhën, për të shpjeguar se si dashurohen femrat me njëra-tjetrën

Xheni Karaj: Do më duhej të rishpikja gjuhën, për të shpjeguar se si dashurohen femrat me njëra-tjetrën

Xheni Karaj është përfaqësuesja e të drejtave të LGBT-ve, e cila para ca vitesh guxoi në Shqipëri, pasi bëri deklaratën e hapur për seksualitetin e saj: “Unë jam lesbike”. Këto ditë ajo është kthyer në qendër të debatit publik, duke u përballur me kundërshti në lidhje me takimet e zhvilluara në shkolla për luftën kundër bullizmit.

Po përtej kësaj zhurme, në këtë intervistë për “Panorama Plus”, Xheni na shuan kureshtjen se si është jeta në Tiranë e një lesbikeje të famshme si ajo. Ndër të tjera, ajo flet hapur për preferencat e saj për femrat, ngacmimet nga meshkujt dhe kush janë ata që e tërheqin, çfarë mendon për homoseksualët e botës së televizionit dhe showbiz-it, kur planifikon të martohet dhe këndvështrimi për zhveshjet e vajzave të ekranit.

Një debat i zhurmshëm është ndezur këto ditë në media, shkak për të cilin u bënë takimet tuaja me nxënësit kundër bullizmit në shkolla. Ti vetë e ke ndjerë dhunën në adoleshencë dhe e ndjen sot?

Në vitet kur unë kam ndjekur gjimnazin, askush nuk guxonte të pranonte hapur orientimin e vet seksual. Rrjedhimisht, ishte e vështirë të targetohesha për këtë arsye. Kryesisht, bëhej ndonjë koment i tipit: Pse dukesh kaq shumë si çun? Por në atë moshë nuk ishin të paktë ata që vuanin bullizmin për shkak të peshës, varfërisë, faktit që nuk ishin nga qyteti, ose meshkujt që perceptoheshin si gej për shkak të gjestikulacionit ose zërit. Bullizmin e kam ndjerë më shumë pasi dola hapur si lesbike. Sidomos vitin e parë ishte një tmerr i vërtetë, pasi në rrugë më drejtonin të gjithë gishtin, sikur të isha një alien dhe bënin komente nga më të ndryshmet. Nuk kanë munguar dhe kërcënimet, sidomos përmes mesazheve në “Facebook”, të cilat pas debatit të fundit janë shtuar akoma më shumë.

Si është të jetosh si lesbike në Shqipëri, nëse i referohemi një statusi të fundit, ku përmendje disa mesazhe ku të kritikojnë për grimin që përdor në ekran. “Pse bën kot si lesbike?”, ta thonë shpesh?

Në një shoqëri patriarkale si kjo e jona, ku gjinia perceptohet dhe artikulohet në mënyrë binare, është shumë e vështirë t’i bësh njerëzit të kuptojnë që ndarja gjinore dhe veçoritë që i janë veshur secilës nga gjinitë nuk janë të ndara me thikë. Jemi mësuar vetëm me një model të të qenit grua; flokë të gjatë, fustan, taka, make up dhe forma të bëshme. Çdo grua ose vajzë që nuk i ka këto veçori, ngjall skepticizëm dhe e gjen veten të përjashtuar. Unë përjashtimin e parë e mora kur pranova hapur që jam lesbike, tani që kam filluar të vë buzëkuq po përpiqen të më riatdhesojnë, pasi plotësova një nga kriteret e të qenit grua (qesh). Sot mora mesazhin e radhës së skepticizmit mbi orientimin tim, mesazhe që janë të shumtë.

Ti e ke deklaruar hapur: “Unë jam lesbike”, po si është të dëshirojë, dashurojë apo eksitojë femra-femrën?

Di vetëm t’ju them që femrat janë alkimiste të dëshirës, dashurisë dhe eksitimit. Do më duhej të rishpikja gjuhën, për ta shpjeguar me fjalë (qesh).

Të ndodh ndonjëherë që të tërheq vëmendjen ndonjë mashkull simpatik?

Më ndodh. Por janë gjithmonë gej dhe kanë arritur të kapërcejnë ngërçin e stereotipit gjinor të mashkullit tradicional dhe patriarkal. Prandaj meshkujt gej kanë gjithmonë më shumë sukses me femrat. se meshkujt heteroseksualë.

Ti vetë si ia bën me meshkujt se duke qenë vajzë e bukur dhe simpatike s’është çudi që të të ngacmojnë? Si reagon kur dikush të gjuan, sepse jo të gjithë e dinë që je lesbike?

Kur vjen puna te ngacmimet, meshkujt shqiptarë e kanë bërë mëse të qartë që nuk dinë të përmbahen. Mund të jesh lesbike, vajzë nën moshë, nënë. madje dhe gjyshe dhe prapë je pre e predatorëve. Meshkujt duhet ta kuptojnë njëherë e mirë që duke i ngacmuar nuk i bëjnë qejfin asnjë gruaje dhe vajze, por shkelin të drejtën e tyre për të jetuar të lira. Dhe nëse vazhdojnë t’i bezdisin në këto forma ka shumë gjasa që t’i detyrojnë të bëhen lesbike. (Qesh)

Mund të na zbulosh shijet e tua për femrat. Pëlqen brunet apo biondet dhe cili është imazhi perfekt i partneres që mund të kesh në krah?

Mjafton të ketë dy cilësi që për mua janë thelbësore; zgjuarsinë dhe guximin.

Shumë personazhe të televizionit e showbiz-it përfliten si gej, por askush nuk e deklaron hapur. Ka të vërteta në këtë thashethemnajë dhe a ke të dhëna konfidenciale?

Unë nuk mbaj statistika për jetën personale të njerëzve. Për shumë persona, dalja hapur është një proces i vështirë, sidomos në një shoqëri agresive dhe paragjykuese. Mesazhi që iu dha personave të komunitetit gjatë këtyre ditëve, përmes debateve agresive në media dhe rrjete sociale, ishte një mesazh përjashtues. Shpresën gjatë këtij debati ma dhanë të rinjtë përmes reagimeve mbështetëse dhe pranuese. Në këtë debat ata dolën fitimtarët dhe edukuan të rriturit me vlerat e barazisë dhe pranimit. Falë tyre, në të ardhmen më shumë persona të komunitetit do të fillojnë ta deklarojnë hapur orientimin e tyre dhe të jetojnë të lirë.

Çfarë po bëhet për martesat e së njëjtës gjini në Shqipëri dhe ti kur ke plan të celebrohesh me të dashurën e zemrës?

Kemi kuptuar që nuk ka asnjë vullnet politik nga kjo qeveri për të mbështetur ndryshimet ligjore, që do të bëjnë të mundur njohjen ligjore të familjeve LGBT. Të zhgënjyer nga ky fakt, kemi nisur një proces strategjik bashkë me dy çifte të tjera dhe do ndërmarrim çdo hap ligjor për të bërë të mundur njohjen e martesave brenda së njëjtës gjini. Do të jem e para që do të martohem, sapo të miratohet ligji.

– Ishe e ftuar te Mustafa Nano, i cili ngriti zërin kundër zhveshjeve të vajzave të televizionit. Ndan të njëjtin mendim me të në lidhje me zhveshjen e femrave në ekran?

Unë jam për lirinë e gruas për të zgjedhur se çfarë do të bëjë me trupin e saj. Mjaft u treguam grave, çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë!