Në ditët e fundit të vitit 2025, aktorja e njohur Ema Andrea humbi vëllanë e saj binjak, ish-basketbollistin Enea Andrea, i cili ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak.
Në daljen e saj të parë publike pas ngjarjes së trishtë, në studion e “Goca & Gra”, aktorja nuk i mbajti lotët teksa foli për humbjen dhe përjetimet e kësaj periudhe.
“Mua nuk më është mbyllur mirë 2025. Normal që nuk është e mirë as 2026. Kam humbur gjysmën time. Janë ato dhurata e hidhura që bën Zoti. Për momentin jetoj në dy dimensione, uroj që kjo mos të ndikojë në punë. Është dita e parë e punës, dalja ime e parë mediatike dhe s’mund të ishte në një vend tjetër veç se këtu”, u shpreh ajo.
Aktorja tregoi se, edhe pse kishte hezituar për të qenë e pranishme në studio, vendosi ta përballojë publikisht dhimbjen.
“Nuk është mirë të flasim për gjëra të tilla, sepse janë delikate, por edhe për elefantin në dhomë, nuk mund të rrimë pa folur. Edhe pse kjo humbje e gjysmës time më të mirë, mua më ka sjellë shumë bekime, kam parë shumë dashuri nga njerëz që nuk i njoh, nga njerëz që i njoh”, tha Andrea.
Ajo falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë moment të vështirë, duke theksuar se vëllai i saj “është përcjellë si mbret”.
“Dhimbja s’ka as etikë, as moral, as fjalor. Kam zbuluar që as fjalët s’janë të duhurat”, përfundoi aktorja, mes emocionesh të forta.













