“MË KTHEN FËMIJËN QË KAM BRENDA”/ Jonida Maliqi flet për herë të parë për Alesio Alian: Kemi patur edhe momente të vështira – AlpeGossip
“MË KTHEN FËMIJËN QË KAM BRENDA”/ Jonida Maliqi flet për herë të parë për Alesio Alian: Kemi patur edhe momente të vështira

“MË KTHEN FËMIJËN QË KAM BRENDA”/ Jonida Maliqi flet për herë të parë për Alesio Alian: Kemi patur edhe momente të vështira

Jonida Maliqi ka folur hapur për marrëdhënien e saj me ish-banorin e “Big Brother VIP 5”, Alessio Alia, duke treguar se çfarë e bën të veçantë lidhjen e tyre dhe si po e përjetojnë një raport që shoqërohet edhe me distancë.

E ftuar në “Live From Tirana”, Jonida theksoi se për të është e rëndësishme që një marrëdhënie të ketë një status të qartë. Ajo sqaroi se të dy vijnë nga martesa të përfunduara dhe janë prindër, ndërsa ish-partnerët e tyre kanë vijuar tashmë jetën e tyre.

Distanca, sipas këngëtares, ka sjellë momente të bukura kur janë bashkë, por edhe periudha më të vështira, të shoqëruara me largësi apo pasiguri. Pavarësisht këtyre, ajo tha se rëndësi ka mënyra se si ndihet në këtë marrëdhënie.

Një prej gjërave që Jonida vlerëson më shumë te Alessio është fakti se ai arrin t’i zgjojë një anë të sajën që e konsideron shumë të çmuar.

“Alessio hera-herës më kthen fëmijën që kam brenda dhe është gjëja më e bukur në botë”, tha Jonida.

Artistja u shpreh gjithashtu se nuk e sheh si diçka për t’u fshehur faktin që e do partnerin e saj. Megjithatë, ajo ka zgjedhur të jetë e rezervuar në deklaratat publike për lidhjen, duke shpjeguar se dëshiron të mbrojë fëmijët dhe familjet e të dyve nga vëmendja e tepruar mediatike dhe titujt sensacionalë.

Gjatë intervistës, Jonida foli edhe për një tjetër ndryshim që ka vënë re tek vetja, atë që lidhet me kalimin e të dyzetave. E pyetur për gjërat që ende nuk ka realizuar në jetë, këngëtarja tregoi se kjo moshë i ka sjellë një mënyrë tjetër të të menduarit.

“Mendoj që çdo individ pas të dyzetave fillon dhe reflekton më shumë për veten. Fillon e do veten më shumë dhe fillon të marrë më pak në konsideratë mendimin e të tjerëve”, u shpreh ajo.

Sipas artistes, ky ndryshim vjen gradualisht, përmes përvojave që të mësojnë të dallosh njerëzit, situatat dhe gjërat që kanë vërtet rëndësi. Ajo pranoi se momentet e vështira të jetës e kanë ndihmuar të kuptojë më mirë vlerat e saj dhe atë që dëshiron.

Sot, Jonida thotë se po zgjedh ta jetojë jetën sipas dëshirave të saj dhe të investojë energjinë vetëm te njerëzit që, sipas saj, e meritojnë.