“Burri që është burrë”, s’e lë motrën të trashëgojë pronë… – AlpeGossip
“Burri që është burrë”, s’e lë motrën të trashëgojë pronë…

“Burri që është burrë”, s’e lë motrën të trashëgojë pronë…

Njihuni me burrat më të brishtë në Shqipëri e Kosovë. Këta burra besojnë se gratë s’duhet të trashëgojnë pronë e as të bëhen deputete. Burri që është burrë ngre zërin. Burri që është burrë, në fakt nuk është burrë fare.

Dje mbrëma, në grupin e mbyllur në Facebook “Feminizmi Shqiptar” u publikuan disa screenshots që i bënë përshtypje të gjithë anëtarëve. Zakonisht në grup postohen instanca seksizmi apo diskutime kontroversiale feministe, por kurrë më parë s’kisha parë diçka të këtij niveli.

Bëhet fjalë për një faqe në Instagram, e quajtur albanian_meninism. Deklaratat e shkruara dhe shprehura përmes fotove janë aq qesharake, sa duket e pamundur që një person t’i mendojë sinqerisht, në vitin 2018. Të njëjtin dyshim patën edhe njerëz të tjerë që hasën faqen. Në shkëmbime komentesh u bë e qartë. Administratorët e kanë seriozisht.

Kontenti që dukej qesharak, u kthye në pak sekonda në skandaloz. E shesin veten si “lëvizja për përkrahjen e të drejtave dhe lirive të burrave” dhe e bëjnë këtë duke propaganduar superioritetin e gjinisë së tyre.

Postimi më i tolerueshëm në gjithë faqen ishte ky më poshtë, që thotë se “Ti nuk je burrë nëse e marton një femër jo virgjine.” Është nocion i përhapur, asgjë e re. Ka burra dhe gra që mendojnë se jeta e një njeriu rrotullohet rreth virgjërisë dhe sa herë jemi përpjekur t’i bindim për të kundërtën, kemi dështuar.

Në pak postime, Meninistët Shqiptarë kërkojnë heqjen e të drejtës së trashëgimisë për gratë e familjes. Pse? “Sepse ky ligj është seksist, sepse trashëgimia e pasurisë familjare i takon dhe duhet t’i takojë vetëm burrave.” Të njëjtin mesazh, faqja e përcolli në një tjetër postim të mëhershëm.

 

Me ç’vura re në komente, disa prej administratorëve janë nga Kosova (gjë që shpjegon gegërishten) dhe postimet për Kosovën. Specifikisht, ata nuk besojnë se gratë duhet të jenë deputete. Ndër postimet e para, thonë se “kuota prej 30% që sipas kornizës ligjore u takon grave deputete është seksiste dhe e papranueshme”.

Sqarim: Kuota të tilla quhen diskriminime pozitive, që nxisin shtresat e marxhinalizuara (si gratë) të bëhen aktive në jetën publike e të përcjellin mesazhe barazie.

“17 gra deputete kanë fituar ulësen e pamerituar në parlament prej këtij ligji, të cilat sipas vullnetit të qytetarëve do t’i takonin 17 burrave. Ku është meritokracia? Ne si rrjet i burrave do të kërkojmë ndryshimin e menjëhershëm të këtij ligji seksist dhe të gjitha ligjeve të tjera në të cilat shohim gabime ose seksizëm ndaj gjinisë superiore mashkullore.”

E para e punës, uau. E dyta e punës, e kuptoni pse të gjithë menduan se ishin shaka? Dhe e treta, a ia kanë idenë këta burra ç’duan të thonë fjalët “seksist”, “meritokraci” dhe “superiore”?

Faqja iu rikthye kësaj tematike dje duke postuar fotot e 13 deputeteve të Parlamentit të Kosovës e duke rithënë se nuk e meritojnë të jenë pjesë e parlamentit.

Në momentin e shkrimit të këtij artikulli, faqja ka 1233 ndjekës dhe mesatarisht 20 pëlqime për foto. Publiku nuk bie dakort kategorikisht me ç’kërkon dhe nxit kjo faqje, shpesh duke denigruar në komente fyese e me gjuhë të papërshtatshme.

Burra si këta që kërkojnë “njohjen globale të superioritetit të meshkujve” kanë kohë që ekzistojnë në botë e në Shqipëri. Iu desh pak kohë të zbulonin magjinë e platformave sociale. Tani mund t’i përhapin më lehtë mesazhet e tyre të urrejtjes, seksizmit, homofobisë e transfobisë, që s’i kanë bërë botës asnjë të mirë. Tani që u njohëm me burrat më të brishtë në Shqipëri e Kosovë, le t’i harrojmë. Nuk meritojnë asnjë sekondë më shumë nga koha jonë e vyer prej njerëzish të hajrit.