Dje rashë në Kurthin e Piter Pan dhe vura re një PROBLEM MADHOR (VIDEO) – AlpeGossip
Dje rashë në Kurthin e Piter Pan dhe vura re një PROBLEM MADHOR (VIDEO)

Dje rashë në Kurthin e Piter Pan dhe vura re një PROBLEM MADHOR (VIDEO)

Dje rashë Në Kurthin e Piter Pan. Ishte hera ime e parë që e shikoja spektaklin nga fillimi deri në fund dhe ora dhjetë e mbrëmjes më gjeti me disa opinione më shumë.

Pjesa ime e preferuar ishte kamera e fshehtë e Uejsit dhe Paulës, sidomos pyetja nga cila zonë e Shqipërisë e keni origjinën dhe përgjigjja tmerrsisht e sinqertë e Uejsit: “Nga Don Bosko”. Ose interpretimi virtuoz i “100 kile” kënduar nga Uejsi dhe kërcyer nga Paula. Qesha me shpirt. Njerëzit imagjinarë në ekran qeshën para meje.

Them imagjinarë sepse të qeshurat në sfond nuk vinin nga publiku në skenë e as nga protagonistët e videos. Në fakt, janë të montuara sipër videos origjinale për efekt “komik”. Në YouTube gjenden mostra të tilla pafund, por ngaqë janë aty dhe janë përdorur më parë nga seriale e sitcom-e, s’do të thotë se duhet të përdoren kudo. Qëllimi i të qeshurave të studios është t’i tregojë shikuesit çfarë është për të qeshur. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi im.

Unë dhe të tjerë si unë, jemi mjaft inteligjentë sa për të kuptuar humorin që na serviret. E di ç’është për të qeshur, e di kur më vjen për të qeshur. Aq më tepër kur vjen puna tek një emision për fëmijë ku komedia është e garantuar.

Fëmijët janë ndoshta gjëja më e çiltër në botë. Janë të papritur, brutalë, të lezetshëm dhe natyrshëm qesharakë. Përgjigjet që ata kthejnë dhe veprimet që bëjnë s’mund të vihen kurrsesi në një skenar dhe ekzaktësisht prej kësaj janë argëtues. Videoja më lart dhe as i gjithë spektakli s’kishte nevojë për të qeshura të montuara sepse publiku qesh vetë.

Si producentë dhe skenaristë, është e nevojshme që njerëzit pas Kurthit të Piter Pan të kenë besim tek spektakli që po i servirin publikut dhe të kenë besim tek vetë publiku. Një emision me fëmijë më pak nga të gjithë ka nevojë për mjete rrethanore për t’u bërë interesant. Është interesant që në koncept.

Momentalisht, televizionet shqiptarë janë pushtuar nga emisionet për fëmijë. Virtuozët, The Voice Kids, Masterchef Junior dhe Power Kidz si segment i të Dielës Shqiptare. Meqë tre të parët janë spektakle talenti, në asnjë prej tyre s’do të kishte kuptim logjik montimi i të qeshurave. Ndërsa Power Kidz, që është për të qeshur, nuk i përdor. Ndërsa produksioni origjinal i Medisaset, Chi Ha Incastrato Peter Pan, lë në sfond të qeshurat natyrale të publikut. Rezultati tek spektakli italian është një bashkëbisedim i lirshëm, sikur të ftuarit dhe fëmijët njihen prej kohësh.

Problemi me të qeshurat e montuara nuk mbetet vetëm në Kurthin e Piter Pan. Xing me Ermalin i përdor shpesh, Portokalli jo. Të njëjtat argumente qëndrojnë edhe për spektaklet e tjera (që ndoshta s’po më vijnë ndërmend tani) jo me fëmijë që përdorin këto të qeshura. Thjesht është një zhurmë e panevojshme. Humori i mirë duket që larg.