Shkrimi është përshtatur nga “Is it normal to bleed after being fingered”, shkruar nga Kasandra Brabaw për Refinery29.
“Kur unë dhe e dashura ime filluan të bënim seks, më dilte gjak shpesh – goxha shpesh. Më ndodhte sa herë më penetronte me gishta. Shkoja në banjë pasi mbaronim dhe në letrën e tualetit gjeja gjithmonë pakëz gjak pasi fshihesha.
Ndoshta duhet ta kisha marrë më seriozisht, por s’më dilte shumë gjak. Prej injorancës, e justifikoja në mënyra të ndryshme. Ndoshta fillova të menstruoj, i thoja vetes. Mendoja se gishtat e saj arritën kanalin tim vaginal dhe çanë një flluskë që mbante periodat e mia. Periodat nuk funksionojnë ashtu, meqë ra fjala.
Në të vërtetë, e dashura ime me siguri thjesht gërrici brendinë e vaginës sime dhe kjo shaktoi pak gjakderdhje.”
Janë Gupta, drejtore e asociuar e Planned Parenthood, një organizate për planifikimin familjar dhe shëndetin e gruas, shpjegon pse ndodh ky fenomen.
“Shumicën e rasteve, këto të gërvishtura ose të gërricje janë shumë të vogla dhe shërohen vetiu brenda pak ditësh. Shumë rrallë, një e gërvishtur brenda vaginës mund të ketë nevojë për kujdes mjekësor për t’u shëruar apo për të shmangur infeksionet,” thotë ajo.
Edhe pse rreziku për të marrë infeksion është shumë i ulët, mund të pakësohet më tej nëse partneri juaj vendos doreza ose mbulon duart me një prezervativ. Në këtë mënyrë shmanget futja e baktereve në vaginë dhe zorrë. Nëse s’përdorni doreza, është gjithmonë ide e mirë të lani duart para se të bëni seks.
Përdorimi i një lubrifikanti me bazë uji pakëson gjithashtu rrezikun e të çarave dhe të gërvishturave, pasi lejon që gishtat të penetrojnë me më pak fërkim. “Lubrifikimi është shumë i rëndësishëm,” thotë Gupta. “Vagina prodhon vetë lubrifikantë kur eksitohet, por kjo kërkon kohë dhe shumë paralojë. Bëjini gjërat ngadalë, ndaloni nëse ndiheni në siklet dhe më e rëndësishmja, flisni për çfarë ju bën të ndiheni mirë dhe çfarë jo.” (Edhe nëse qëllimi juaj nuk është shmangia e të gërvishturave, lubrifikimi bën çdo gjë më të kënaqshme.)
Shkaqet më të zakonta të gjakderdhjes pas penetrimit me gishta janë vërtetë të gërvishturat, por ekzistojnë dhe mundësi të tjera. Gishtat e partnerit tuaj mund të kenë zgjeruar himenin tuaj, shpjegon Gupta. “Himeni është një ind i hollë, i cili zgjerohet me hapjen e vaginës. Ky zgjerim mund të shkaktojë gjakderdhje. Është normale dhe largohet vetiu brenda pak ditësh.”
Ekziston mundësia që të jeni duke sekretuar midis menstruacioneve. Kjo s’ka lidhje fare me penetrimin me gishta, thjesht rastis të ndodhë në të njëjtin moment. Infeksionet vaginale dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme mund të shkaktojnë sekretime të tilla, thotë Gupta. Klamidia përshembull, shkakton sekretime midis menstruacioneve, të shoqëruara me një sërë simptomash të tjera si shkarkime vaginale dhe dhimbje gjatë urinimit.
Në përgjithësi, nuk keni pse merakoseni nëse shihni pak gjak. Sidoqoftë, Gupta sugjeron të konsultoheni me një mjek nëse ndjeni dhimbje, siklet ose nëse gjakderdhja nuk ndalon brenda pak ditësh.