Jo vetëm i njejti ekran, por edhe e njejta firmë/ Çfarë i bashkon moderatoret e famshme të Klan? – AlpeGossip
Jo vetëm i njejti ekran, por edhe e njejta firmë/ Çfarë i bashkon moderatoret e famshme të Klan?

Jo vetëm i njejti ekran, por edhe e njejta firmë/ Çfarë i bashkon moderatoret e famshme të Klan?

Kur vjen puna tek firmat e veshjeve, të famshmet janë të parat që kryesojnë listën si të apasionuarat pas këtij emri ose një tjetri. Nuk ishte e largët koha, kur personazhet shqiptarë u dukën sikur ‘u pushtuan’ nga dashuria për Guçi-n. Duke mos e lënë pas këtë brand, Balenciaga erdhi me plot risi, duke bërë që figurat e ekranit, dhe jo vetëm, të kthenin kokën nga koleksionet më të reja të firmës.

I kemi komentuar shumë për sa i përket veshjeve të shtrenjta dhe zgjedhjes së markave luksoze, e jo më kot shumica prej tyre bëjnë diferencën në stil. Ndoshta nuk e keni vënë re, por duket sikur tre nga moderatoret më të njohura të Klan i ka bashkuar një ‘gjuhë’ e përbashkët veshjesh, në daljet e tyre televizive. Alketa Vejsiu, Marina Vjollca dhe Kiara Tito…ç’mund t’i lidhë të treja vajzat bashkë? Asgjë më shumë se sa emri i Elisabetta Franchi-t! Si për çudi, moderatoret i kanë besur shpesh paraqitjen kësaj firme, e le të themi se kjo u vërejt edhe më tepër me nisjen e “Ces’t La Vie”.

Marina nuk ngurronte të zbulonte markën e veshjeve, ashtu sikurse i qendroi besnike klasikeve si Armani, D&G dhe të preferuarës së saj, Versace-s. Megjithatë, nuk ishin të pakta herët kur në postimet e saj shihje të etiketuar Elisabetta Franchi-n – bluze, funde, pantallona, ishin zgjedhja e Marinës për të sjellë kombinime që i përshtateshin atmosferës së formatit.

Me fillimin e “Në kurthin e Piter Pan”, Vejsiu ka përdorur në disa puntata të njejtin emër për paraqitjen e saj. Duke ruajtur elegancën, Elisabetta Franchi ka qenë zgjedhja e Alketës për t’u prezantuar në disa nga netët e spektaklit dedikuar fëmijëve. Këmisha e bardhë dhe kostumi bojëqiell mbajnë të njejtën firmë dhe kujtojmë që Vejsiu u komentua jo pak për çmimet e këtyre veshjeve!

 

Ndonëse ende në fillime, Kiara Tito spikati në të njejtin drejtim në prezantimin e ‘Doktor Plastik’. Më shumë drejtuar drejt bezhës në rozë, Tito veçohet me zgjedhjen e fustanit dhe kostumit nga Elisabetta Franchi. Kështu, nisur nga pasioni për të njejtin emër në fushën e modës, mund të themi me siguri se moderatoret nuk i bashkon vetëm i njejti ekran, por edhe favorizimi i të njejtit brand për daljet televizive. Si mendoni, cila nga vajzat ka bërë zgjedhjen e duhur?