Letra: E kapa me një femër tjetër. A t’ia them shoqes që i dashuri e tradhton? – AlpeGossip
Letra: E kapa me një femër tjetër. A t’ia them shoqes që i dashuri e tradhton?

Letra: E kapa me një femër tjetër. A t’ia them shoqes që i dashuri e tradhton?

Jam 27 vjeç dhe shoqja ime ka të njëjtën moshe, ndërsa i dashuri i saj prej 11 muajsh, është 2 vite më i madh. Me shoqen jam njohur që nga shkolla e lartë, kemi qenë gjithmonë të pandara. Por ajo ka qenë e tërhequr për të folur për gjërat që nuk shkonin në lidhjen e saj. Fillimisht tregohej e hapur, por kur merrte mendime që nuk i pëlqenin acarohej dhe më pas nisi të mos tregonte më. I dashuri i saj shpesh bënte gjeste të çuditshme me të, si për shembull nuk i hapte telefonin apo ditën i thoshte se nuk mundej t’i përgjigjej veçse me mesazhe. Gjithsesi, nuk lejova që të ndikonte në shoqërinë tonë. Tani ndodhem në udhëkryq, pas një nate. Për koincidencë apo donte fati, por mbrëmjen e një fundjave vendosa të dilja me një tjetër shoqe në një klub nate. Pasi parkuam në qendër u përballa pikërisht me të dashurin e shoqes, por ai ishte i shoqëruar me një tjetër femër për krahu dhe një çift. Ndërsa beri sikur nuk më pa, u gjendëm sërish në të njëjtin pub, por unë në rolin e detektives, diku ku nuk më shikonte. Ata silleshin si çift dhe më pas u larguan bashkë po aq të dashuruar. Por nuk mbaron këtu! Justifikimi pse nuk ia kishte hapur telefonin shoqes sime atë nate ishte se po flinte, pasi ndihej sëmurë. Nuk di ç’të bëj. As nuk dua ta humbas shoqen, por as nuk dua që ajo të vazhdojë të tradhtohet.

“A t’ia them shoqes sime që i dashuri e ka tradhtuar?” Kjo mund të jetë një nga pyetjet më të mundimshme që dikush i ka bërë ndonjëherë vetes, ndaj pozicioni yt është i vështirë. Për fat të keq, për këtë pyetje nuk ka një përgjigje që i kënaq të gjitha palët. Çfarëdo që të bësh, do të ketë pasoja. Çfarë të bësh? T’i thuash shoqes tënde, pasi ajo ka të drejtë ta dijë apo ta mbash të fshehtë, sepse mund të shkaktosh më shumë probleme?

Ndoshta, para se t’ia thuash asaj, provo të bisedosh njëherë me të dashurin e saj, nëse e ke të mundur. Fol hapur me të, tregoji se je e shqetësuar për shoqen tënde dhe se nuk mund të heshtësh përballë asaj që ke parë. Bëje të kuptojë se duhet t’ia tregojë vetë ai i pari, në të kundërt, do të jesh ti e detyruar t’ia thuash. Mënyra sesi do të veprosh më pas do të varet nga përgjigja e tij. Para se të vendosësh çfarë duhet të bësh më tej, duhet të marrësh parasysh disa faktorë.

Së pari, sigurohu që ke prova të qarta. Mblidh fakte të tjera nëse mundesh dhe vlerëso me kujdes faktet e mbledhura. A mund ta vërtetosh atë që ke parë me foto ose video? Në rastin më të mirë, shoqja mund të të besojë pa asnjë provë, por në rastin më të keq, provat mund të jenë e vetmja mënyrë për ta bindur.

Së dyti, vëre veten në vendin e saj. Empatia është një faktor ndihmues: mendo si do doje të sillej ajo me ty, në të njëjtën situatë.

Së treti, merr në konsideratë natyrën e marrëdhënies mes shoqes dhe partnerit të saj. A është marrëdhënia mes tyre e hapur apo e mbyllur? Ka marrëdhënie ku partnerët janë të hapur për të dalë edhe me njerëz të tjerë. Disa njerëz në marrëdhënie të hapura janë dakord me njëri-tjetrin për ato që bëjnë, por zgjedhin të mos diskutojnë me të tjerët për këto gjëra.

Së katërti, merr kohë për të peshuar aspektet pozitive dhe negative të rrëfimit të të vërtetës. Një anë pozitive do të ishte p.sh. “Shoqja do të kuptojë se ai nuk është besnik”, por një anë negative do të ishte “Ajo do të zemërohet me mua, pasi është shumë e ndjeshme këtë periudhë”.

Ndërkohë që po mendohesh për këto, bëj kujdes që mos ta ndash sekretin me njerëz të tjerë, aq më pak me ata që e njohin shoqen. Kjo do ta kthente situatën në një thashethemnajë dhe gjërat do të bëheshin më të ndërlikuara. Nëse të duhet ndihmë, fol me persona që nuk e njohin atë ose me këshillues profesionistë.

Më tej, nëse vendos që t’ia thuash, zgjidh vendin dhe kohën e duhur, pasi zbulimi i një informacioni kaq të ndjeshëm nuk është i thjeshtë. Vendi më i mirë mund të ishte një hapësirë private (shtëpi) sesa një ambient publik (lokal). Mund ta fillosh duke e pyetur për marrëdhënien. “Si po shkon marrëdhënia juaj?” Përgjigja e saj do të të ndihmojë sesi të vazhdosh më tej. Nëse ajo po thotë “Gjërat po shkojnë mirë…”, atëherë mund të përgjigjesh me më pak siguri: “Mirë, ndoshta unë kam keqkuptuar situatën…”. Nëse ajo po thotë “Gjërat janë keq…”, atëherë është më e lehtë për të vijuar: “Më vjen keq, për këtë doja të flisnim…”.

Gjuha e bisedës duhet të jetë e qartë, e thjeshtë dhe empatike. Toni i zërit i qetë dhe i butë. Merre shtruar. Sigurohu që ajo është gati për të shkuar më tej apo nëse dëshiron të shohë prova. Mos e merr të mirëqenë se do të jetë gati. Ajo duhet ta dijë që ti e ke një provë, sepse e kishe të vështirë t’u besoje edhe syve të tu.

Mund të ketë shpërthim emocional, tronditje, zemërim, dëshirë për hakmarrje. Kuptoje atë dhe mbështete emocionalisht. Mund të ndodhë që të dojë të distancohet emocionalisht edhe nga ty, sepse ti ishe ajo që ia the. Mund të të shmangë, të mos përgjigjet ndaj telefonatave të tua ose të përgjigjet se nuk ka kohë për t’u takuar. Një gjë e tillë mund të ndodhë dhe ti nuk mund të bësh asgjë.  Mund t’i thuash: “Kemi qenë shoqe prej vitesh. Ndaj e kam të vështirë të ta them, por nuk do të ishte e drejtë ta mbaja për vete. Çfarëdo që të mendosh në këto çaste, ke plotësisht të drejtë, por dije se do jem këtu për të të mbështetur.”

Edhe nëse pendohesh për faktin që ia ke thënë, për shkak të stresit dhe konfliktit që është shkaktuar, kujtohu se mbajtja e një informacioni të tillë të rëndësishëm mund të ishte edhe më stresues. Mendo sikur shoqja jote ta zbulonte më vonë se ti e dije për mosbesnikërinë e të dashurit të saj. Ajo me siguri do të inatosej me ty dhe do të të pyeste sesi ishte e mundur që nuk ia the dhe si munde të heshtje përballë kësaj situate. Edhe pse ndonjëherë e vërteta nuk është rruga e vetme më e mirë, në këtë rast është, ndaj kurajë!