Unë s’do të doja ta shihja kurrë filmin e jetës me familjen, pasi edhe vetë uroj që një ditë t’i harroj disa gjëra, disa pjesë. U dashurova që në rini dhe u fejova. Mendova se ishte njeriu i duhur, që ishte perfekt, por jo. Gabova. Pavarësisht se prindërit më thonin që isha gabim, që po nxitoja, unë sërish nuk i dëgjoja.
Fillova të jetoj me të. Ishin fillimet tona, më dukej çdo gjë mirë. Por nuk zgjati shumë, pasi ajo që kisha përjetuar nuk ishte as dashuri, as lumturi. Pas vetëm dy muajsh, ai filloi të ushtronte dhunë, të sillej ftohtë dhe shumë keq. Arriti deri aty sa sillte ish-të dashurën në shtëpi pasi ishin miq. Ajo hynte dhe dilte lirisht, madje më godiste në praninë e saj.
E fala. Mendova se do ndryshonte. Po kalonin muaj e vite dhe unë nuk e shprehja dot shqetësimin tek familja. Mendoja gjatë gjithë kohës që do të më thonin “A të thamë që ai nuk është për ty?”. E vuaja brenda vetes.
Nuk kishte natë që ajo dorë të mos më godiste…ajo dorë që dikur më kishte përkëdhelur. Me kalimin e kohës dashuria u shua, u shua edhe ajo pak që kishte mbetur. Nuk e doja më.
Një ditë kuptoj që isha shtatzënë. Mendova se gabimisht, por ai më thotë që e kishte bërë me dëshirën e tij, pa folur më parë me mua. Gjatë shtatzënisë, jo vetëm që nuk ndryshoi, por u bë edhe më keq. Dhunë. Keqtrajtime. Prisja, shpresoja.
Në fakt ishte e kotë, sepse as bebi nuk i dhimbsej. Kështu, dita-ditës, problemet rriteshin. Fëmija u rrit me një frymë dhune, derisa kur filloi të fliste dhe të kuptonte i thoshte “Mos i gjuaj mamit…është mami im”.
Mendoja si të mos e ndaja fëmijën nga i ati. Ishte e kotë. Më nxori nga shtëpia me fëmijën në krahë, dhe më kthehu përsëri me premtimet e tij. Premtime boshe.
Nuk kishte më as respekt, as dashuri, as mirëkuptim. Zgjidhja ishte ndarja, që duhej bërë kohë më parë. Tani secili është i qetë. Mirëpo historinë e jetës s’do të doja ta shihja kurrë me prindërit. S’do të doja të shihnin lotët e mi, bebin që rritej e dhunohej që në bark nga ai.