Modelja kineze, që u shfaq në një reklamë të Dolce & Gabbana të akuzuar për racizëm, është shprehur se polemika i shkatërroi karrierën.
Në tri videot e publikuara në nëntor, shihet Zuo Ye duke u përpjekur që të hajë ushqim italian, përfshirë pica, me shkopinj.
Kjo u konsiderua gjerësisht në Kinë si ofenduese dhe çoi në reagim të ashpër në vendin aziatik, ku disa shitës me pakicë tërhoqën produktet e markës.
Zuo tha se ndihej “fajtore dhe e turpëruar”, por kërkoi mirëkuptimin e bashkatdhetarëve të saj.
Pas deklaratës së saj në rrjetin social të medias kineze Weibo, debati është ndezur përsëri. Disa njerëz thanë se shpresojnë që modelja të vazhdojë karrierën e saj në botën e modelimit dhe se e kuptojnë që duart e saj ishin ‘të lidhura’ për shkak se punonte me D & G.
Në një postim të gjatë të hënën, Zuo tha se zakonisht puna për një markë ndërkombëtare si D & G do të ishte një hap i madh në karrierë, por që në këtë rast pothuajse i mbylli karrierën si modele.
Ajo shpjegoi se e kupton që përfaqësoi imazhin kombëtar të Kinës dhe kulturës kineze, ndaj ndihet edhe më shumë fajtore dhe e turpëruar.
Gjithashtu premtoi të përmirësojë sjelljen e saj në të ardhmen.
Sipas deklaratës së saj, ajo e dinte se xhirimet kishin të bënin me shijimin e ushqimeve italiane, por u ndie në vështirësi kur iu kërkua të hante pica dhe makarona me shkopinj.
Modelja rrëfeu se nuk e kishte parë klipin e fundit para se të publikohej. Gjithashtu shtoi se nuk u përkrah kur filluan polemikat.