U DASHURUA ME NJË VAJZË SHQIPTARE/ Specialisti hungarez tregon si u arratis me gruan e tij – AlpeGossip
U DASHURUA ME NJË VAJZË SHQIPTARE/ Specialisti hungarez tregon si u arratis me gruan e tij

U DASHURUA ME NJË VAJZË SHQIPTARE/ Specialisti hungarez tregon si u arratis me gruan e tij

Bela Bëjti ishte specialisti hungarez i cili në vitet 50-të punoi në Institutin e Hidrometeorologjisë në Shqipëri dhe u dashurua me shqiptaren Zogulla Dhima. Në atë kohë shteti shqiptar i vuri si kusht të punonte për dy vite në vendin tonë. Ai u bë pjesë e emisionit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço nga ku rrëfeu si u njoh me gruan e tij dhe arriti të arratisej bashkë me të nga Shqipëria.

“Në vitin 1950 vazhdova universitetin e meteorologjisë. Në atë kohë kisha një mik, Siri Jaho, me origjinë nga Gjirokastra. Kemi qenë në një dhomë. Më pas u njoha me Zogulla Dhimën, një vajzë nga Gjirokastra po ashtu. Me shumë vështirësi u martuam se kërkonin shumë leje. Zogulla ishte studente e shkëlqyer e farmacisë. Kur mora vesh se ajo ishte shqiptare iu drejtova me disa fjalë shqip, që i kisha mësuar nga disa shokë shqiptarë. Më detyruan që të vija në Shqipëri dhe të punoja atje për dy vite, të cilat nuk m’i kanë njohur. Detyra ime atje ishte të përgatisja parashikimin e reshjeve në Shqipëri për aeroportin dhe hidrocentralet. Shumë njerëz më pyesnin pse erdhe në Shqipëri dhe unë i përgjigjesha duke thënë: Shyqyr Zotit që erdha në Shqipëri.

Arsyeja se përse u largova ishte se në atë kohë njerëzit filluan të etiketoheshin si pro sovietikë dhe kështu filloi epoka e vërtetë e komunizmit. Në atë kohë në Shqipëri pasuan shumë vite të këqija. Të huajt filluan të shiheshin me një sy tjetër. Kur dilja në ballkonin e shtëpisë në rrugën “Mine Peza” shihja se si njerëzit rriheshin me shkopinj në burgun e vjetër. Zoti i mëshiroftë ata që rrihnin njerëz të pafajshëm. Në atë kohë më thanë që duhet të ikja nga Shqipëria me gruan dhe fëmijën. E lashë punën përgjysmë dhe ika, por u ktheva edhe një herë për të përfunduar punën që kisha lënë përgjysmë në Krujë. Ka qenë Hamdi Shijaku kapiten, ai që më ka thënë që të largohesha nga Shqipëria. Zogulla ndërkohë punonte në farmacinë e Kryqit të Kuq. Në atë kohë erdhi në Shqipëri një aeroplan ushtarak hungarez, sepse bëheshin këmbime dhe unë bashkë me gruan hipëm në aeroplan ndërkohë që personat që kishin ardhur me atë avion luanin letra apo laheshin në det në Durrës. Ne nuk dispononim as bileta dhe as pasaporta. Bashkë me ne kishte edhe oficerë shqiptarë që vinin në Hungari për të pushuar”, tha Bela Bëjti.