Alban Skënderaj
Këngëtari i njohur shqiptar, Alban Skënderaj do të hapë siparin e koncerteve live në Tiranë për këtë vit. Ai do të mbajë koncertin e tij të parë për 2018-n në dy data, 2 dhe 3 mars, në Pallatin e Kongreseve.
Koncerti i titulluar “Hapësira e një ëndrre”, përfshin performancën e krijimeve të kantautorit gjatë këtyre 15 viteve, shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së.
Bojken Lako
Bojken Lako është gjithashtu një prej emrave të dëgjuar që do të vijë me një koncert të tijin këtë vit. Mëngjesin e sotëm ai ka qenë i ftuar në “Wake up”, ku ka treguar se në maj të këtij viti do të mbajë një koncert recital për të festuar 25-vjetorin e karrierës së tij.
Bojken ka treguar se ky recital do të jetë një përmbledhje e këngëve të tij më të mira ndër vite, të cilat do të riorkestrohen dhe do të shoqërohen me një formacion të vogël.
Elvana Gjata
E afërt është edhe dita e përfolur kur Elvana Gjata do të këndojë live. Mediat kanë përfolur për 3 shkurtin, datë e cila përkon edhe me ditëlindjen e Elvanës. Këngëtarja do të realizojë një koncert me shumë pak të ftuar specialë, në një nga hotelet më të njohura në vend, ku do të performojë live këngë të reja.
Si kompozitorin e saj pas shkëputjes përfundimtare me Flori Mumajesin dhe Threedots, Gjata ka zgjedhur t’i besojë kantautorit të njohur shqiptar Pirro Çako, i njohur për stilin e tij unik në bërjen e baladave. E pikërisht burime për Express bëjnë të ditur gjithashtu se Elvana atë mbrëmje do të këndojë për herë të parë disa balada të reja të kompozuara nga Çako, duke kujtuar këtu edhe versionin akustik prej 5 baladash që ajo solli vite më parë me rastin e festës së Shën Valentinit.