Përse u prekëm nga Danjela e “The Voice Kids” dhe përse ajo është një “shuplakë” për realitetin tonë – AlpeGossip
Përse u prekëm nga Danjela e “The Voice Kids” dhe përse ajo është një “shuplakë” për realitetin tonë

Përse u prekëm nga Danjela e “The Voice Kids” dhe përse ajo është një “shuplakë” për realitetin tonë

“Nuk dua të vij të fitoj Voice-in, dua thjesht të argëtohem, të shfaq talentin tim dhe të bëj krenarë prindërit…” – Kjo ishte ndoshta fjalia më e bukur që Danjela, konkurrentja 13 vjeçare nga Kukësi rrëfeu në klipin e saj prezantues në “The Voice”.

E bukur sepse ndryshe nga të gjithë fëmijët e tjerë që në pafajësinë e tyre gjithsesi ambicia i fliste për fitoren e spektaklit, Danjela në modestinë e saj tregoi se për këtë pjesëmarrje i ishte mirënjohëse prindërve të saj të cilët jetojnë në fshat e sakrifikojnë gjithçka për të dhe motrat e vëllain e saj, i cili për fat të keq është një fëmijë me sindromën ‘Down’.

Prej prezantimit të klipit të Danjelës, të premten e kaluar në mbrëmje, menjëherë e kuptuam se kjo vajzë e vogël 13 vjeçare ishte veshur me përgjegjësinë e maturisë shumë shpejt edhe pse menjëherë sa nisi të këndoi doli në habitatin e moshës së saj: e ëmbël, e ndrojtur disi nga skena dhe lotët që i shpërthyen pa i mbajtur dot kur të gjithë trajnerët kthyen karriget për të.

Kaq mjaftoi që Danjela të kthehej në fenomenin e këtij formati deri më tani. Të gjithë e postuan historinë e saj në rrjete sociale për të arritur kulminacionin e saj mediatik me daljen e djeshme në Top Show Magazine në një intervistë ‘kokë më kokë’ me Alban Dudushin, të cilit i tregoi se nuk dëshironte as luks dhe as telefona të mirë, dëshironte thjesht që vëllai i saj të bëhej më mirë dhe të mund të merrte profesionin e veterineres kur të rritej sepse i ndjente shumë pranë zemrës kafshët.

Danjela Toçi: "Dëshira më e madhe që kam, të përmirësohet vëllai im me 'aftësi speciale'", që edhe ai të shkojë në shkollë si të tjerët. Falenderoj zotin që e kanë pranuar tek kopshti i fëmijëve".

Danjela Toçi: "Dëshira më e madhe që kam, të përmirësohet vëllai im me 'aftësi speciale'", që edhe ai të shkojë në shkollë si të tjerët. Falenderoj zotin që e kanë pranuar tek kopshti i fëmijëve".

Posted by TOP SHOW on Wednesday, January 31, 2018

 

 

I gjithë rrjeti vërshoi me shpërndarjen e historisë së Danjelës duke thënë fjalët më të mira për vajzën e vogël e cila me maturinë që e karakterizon, duket se po e përballon shumë mirë famën.

Rasti i Danjelës, e cila u kthye shpejtë në histori frymëzimi, nuk është e vetmja në fakt e cila ka gjithë dashurinë e shqiptarve të cilët nuk ngurrojnë të shprehin simpatinë në rrjete sociale për të tilla raste.

Menjëherë kur kujtojmë fshatin tanimë, na vjen direkt në mendje edhe gjyshja më e famshme në Shqipëri, Ija e Bes Kallkut. Vetë Besi deshi që Ija të ketë famën që ka sot duke e “promovuar” atë në rrjetet e tij sociale, ashtu siç ajo është: totalisht BIO, në kuptimin e parë dhe të figurshëm të fjalës. Ija e Besit numëron më shumë se 112 mijë ndjekës në Instagram dhe ka vetëm pak ditë që e ka hapur një të tillë. Në postimet e saj ajo tregon për jetën e fshatit, veprimtaritë aty dhe ka qindra komente positive nga njerzit që e ndjekin të cilët vazhdimisht shprehin se sa pozitivitet i sjell fshati dhe gjithçka Ija vendos të postojë nga jeta e saj.

Një reagim të ngjashëm ne shqiptarët patëm edhe me Rigerta Lokun, vajzën e cila erdhi nga Mirdita dhe foli për fshatin në parlament teksa gjithë kohës lotonte për kushtet e vështira me të cilat duhet të përballen të gjithë ata që jetojnë në fshat. “Duhet të vini te stallat atje, jo unë të vij këtu në Kuvend. Unë jam aty, nuk shkoj asgjëkundi pres, nuk qëndroj kot, punoj, por pres. Ejani të shikoni, ejani atje, në doni ushqim buke e zemër, ushqime bio, ejani në fshat, ju lutem gjithsecilit të mos vini me makinë të vogël, ejani me fuoristradë, se atje nuk shkon makina, nuk shkon makina,” – ka thënë ajo në fjalimin i cili u shpërnda në kohë rekord në rrjet.

Pyetja është: Përse gjithë ky solidaritet me njerzit e thjeshtë të cilët bëhen të njohur sidomos me kauzën e mbrojtjes së jetës së fshatit dhe rrëfimit të aktivitetit që bëjnë atje? Në fakt përgjigja është më e thjeshtë nga se duket: Ne thjesht jemi lodhur nga jeta me filtra dhe ndonëse duket se e pëlqejmë teknologjinë, manifestimin e luksit, jetës në metropol në fakt, thellë në brendinë tonë duam shumë që të përjetojmë origjinalen, “BIO”-n dhe thjeshtësinë. Ne i duam, prekemi, solidarizohemi me ta sepse aty shohim një pasqyrë të vetvetes, që në fakt e duam por bota e shpejtë, e dixhitalizuar dhe me shumë filtra e silikon që na rrethon na bën që shpesh herë të harrojmë.

Do thoshte dikush me të drejtë: mos ndoshta dhe fakti që i shpërndajmë këta persona origjinalë në rrjete sociale, sërish “i përdorim” për shtirjen tonë në rrjet? Ndoshta. Ama lotët na rrodhën vërtetë në shtëpitë tona të premteve mbrëma kur u njohëm me rrëfimin e Danjelës. Ky gjest ka qenë i vërtetë, njësoj si këta njerëz që marrin shpesh herë vëmendjen tonë e mirë bëjnë! /Blitz.al/