Ky grup turistësh të huaj që vizitoi kalanë e Krujës nuk e fshehu zhgënjimin që derën e hamamit të shekullit të XV e gjeti të mbyllur.

Hamami është monument kulture i kategorisë së parë dhe është një atraksion për shumë vizitorë të huaj e shqiptarë që qëndrojnë në Kalanë e Krujës.

Restaurimi i objektit rreth 4 vjet më parë, kushtoi 84 mijë euro. Por çuditërisht kjo derë nuk u hap kurrë për vizitorët e shumtë, kryesisht të huaj që kanë interes për të vizituar nga afër një hamam të stilit osman.

Ky turist italian thotë se ka mbetur i habitur se si ka mundësi që një monument i tillë nuk mund të vizitorët.

Turist: “Jam nga Italia. Kam ardhur të vizitoj kalanë e Krujës. Kisha dëshirë të vizitoja këtë hamam, por e gjeta mbyllur ndaj më lind pyetja se si është e mundur që brenda një kompleksi të tillë është diçka që nuk mund të vizitohet.”

Hamami i Krujës është një prej 7 ndërtesave të ngjashme më të vjetra në vendin tonë. Ndërsa vendndodhja përballë Muzeut Etnografik tërheq gjithmonë vëmendjen e turistëve që nuk munden ta kalojnë këtë portë të mbyllur me dry.

Turiste: “Jam nga Bosnja. Kisha dëshirë të vizitoja, por është e mbyllur. Përse nuk ështe i hapur dhe i vizitueshëm gjatë gjithë kohës.”

Të pyetur për këtë çështje, drejtuesit e muzeut ‘Gjergj Kastriot Skënderbeu’ në Krujë, thanë jashtë kameras se Monumenti i Hamamit nuk është në varësinë e tyre.

Për shkak të statusit Monument Kulture, kjo ndërtesë menaxhohet nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Durrës.