Fjala njerkë në disa raste ka një konotacion jo shumë të këndshëm dhe të jesh në një pozicion të tillë nuk është fort e lehtë.
Por në ditët e sotme ky mund të jetë edhe një lloj paragjykimi, pasi njerka apo njerku mund të jenë mbështetës, miq e deri tek nënë apo baba për fëmijët që partneri apo partnerja ka nga një martesë e mëparshme.
Sipas një studimi të bërë në Ohajo, roli i njerkës pritet që të jetë më i vështirë sesa ai i njerkut, sepse është në mes figura e munguar e nënës dhe rrjedhimisht edhe pritshmëritë nga fëmija janë më të mëdha.
Të tjera studime tregojnë se ka më shumë se 900 histori të shkuara për njerkat e këqija, nëpër libra apo edhe në filma duke mos harruar edhe ato vizatimore siç janë “Hirushja” apo “Borëbardha”. Në botë prania e njerkës apo e njerkut në një familje është një fenomen shumë normal, ndërsa në Shqipëri akoma është e vështirë që të pranohet.
Por janë pikërisht personazhet publike ata që kanë dhënë shembuj shumë pozitivë në këtë drejtim, pasi kanë ndërtuar raporte shumë të mira me fëmijët e mëparshëm të partnerëve të tyre. I tillë është edhe rasti i aktores Rudina Dembacaj e cila është njerkë për dy fëmijët e partnerit Mark Marku, për Ertën dhe Leonardin.E ftuar në “Wake Up”, Rudina Dembacaj rrëfeu se ajo nuk i ndan fëmijët e Markut nga vajza e saj.
“Nëse bën dallime mes fëmijëve nuk je njeri. Nëse je prind vetë i kupton të gjitha Konflikt nuk kemi asnjëherë, secili ka hapësirat e veta. Përpiqem që të kujdesem për të gjithë njësoj. Janë të rritur, kjo më ka ndihmuar. Djali po merret me futboll dhe unë kujdesem për dietën ushqimore.
Vajza e Markut është ajo që na pret në shtëpi. Sigurisht ka vështirësi si marrëdhënie, kemi dy adoleshentë dhe një vajzë 4-vjeçare.
Por janë gjëra elementare dhe janë shumë të bukura. Ata kanë dhimbje shumë të madhe, për shkak të nënës së tyre.Edhe Viki ka momentet e saj, kërkon të ftojë babin për darkë dhe ne i themi ‘patjetër, ftoje babin’.
Edhe Aleksi ka kontributin e tij, sepse kur Viki shkon atje, blen çokollata për të gjithë, fëmijët e Markut, për mua. Të gjithë kemi humor në shtëpi, përveç Markut (qesh)”, rrëfeu Rudina.