Kush është Drita, mbesa e Nënë Terezës që po ndihmon familjet shqipare në Francë – AlpeGossip
Kush është Drita, mbesa e Nënë Terezës që po ndihmon familjet shqipare në Francë

Kush është Drita, mbesa e Nënë Terezës që po ndihmon familjet shqipare në Francë

Drita është mbesa shqiptare e humanistes Nënë Tereza dhe ashtu sikurse Tereza, Drita është shquar për shpirtin humanitar pas aktiviteteve që ka zhvilluar në Bordeaux të Francës.

Për herë të fundit, mediat franceze raportuan për një rast të rëndë me një familje pesë anëtarëshe nga Maqedonia, të cilën Drita Kurtsmajlaj e strehoi në vend të duhur e të ngrohtë në këtë acar dimri.

Një rast tjetër me një familje shtatë anëtarëshe nga Maqedonia, gjithashtu ka lënë gjurmë të rënda në humanitetin e kësaj vajze shqiptare fisnike e bujare.

Ajo, pa hezituar fare, e ka marrë përgjegjësinë për përkujdesjen ndaj kësaj familje me pesë fëmijë, tre prej të cilëve me aftësi të kufizuara, e cila për një javë të tërë, ka qëndruar nëpër rrugët e qytetit Bordeaux, e lënë nën mëshirën e fatit.

Por, kush është në të vërtetë Drita 22-vjeçare? Ajo thotë:

Në vitin 2014 kemi ardhur nga Tropoja e Shqipërisë. Gjuhën frenge e mësova me një kurs tremujor dhe menjëherë u inkuadrova në aktivitetin human për tu ndihmuar personave të pastrehë, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, apo edhe shtetasve francezë, që për shkaqe te ndryshme kanë mbetur nëpër rrugë.”

Në një intervistë për “Shtegu.com” Drita shprehet:

E kemi për obligim tu dalim në ndihmë personave që kanë ngelur nëpër rrugët e qytetit. Këtu jemi gjithnjë në kontakt të përhershëm me shoqata të ndryshme dhe me popullatën. Ne ju ndihmojmë njerëzve në nevojë, i shoqërojmë te mjeku, kërkojmë shtëpi të përkohshme për ta, ju sigurojmë artikuj të mjaftueshëm ushqimorë etj., deri sa të futen në procedurat për kërkim të azilit. Më pastaj, pasi të refuzohet kërkesa e tyre për azil, ne u ndihmojmë me ndihmën e avokatëve për strehim të mëtutjeshëm, deri në pajisjen eventuale me dokumente francez.”
Nuk do mend se një aktiviste aq e re shqiptare, meriton vëmendje më të madhe të opinionit shqiptar e më gjerë. Si duket, Drita është inspiruar nga veprat e paarritshme të Nënë Terezës të cilat po i përcjellë me përpikmëri të madhe.

Drita e krijoi faqen e saj “Aide aux perssonne à la rue Bordeaux“ me të cilën reagon menjëherë kur ndokush është në nevojë. Për ta gjetur Dritën në Bordeaux nuk është edhe punë shumë e vështirë, pasi i gjithë qyteti e quan “Nëna Terezë”.