Pavarësisht dëshirës së fansave, nuk ka asnjë mundësi që “Friends” të rikthehet. Megjithatë, e ftuar te Ellen DeGeneres, Jennifer Aniston foli për një projekt të përbashkët me David Schwimmer, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe Matthew Perry.
Aniston u shpreh se dëshirojnë të punojnë me “diçka” së bashku, por konfirmoi sërish se nuk do të jetë një rindërtim i sitcom-it të famshëm amerikan.
“Dëgjo, ne do të donim që të bënim diçka, por nuk e dimë se çfarë, kështu që thjesht po përpiqemi, jemi duke punuar bashkë për diçka.”
DeGeneres e pyeti nëse bëhet fjalë për një film, por Jennifer nuk pranoi të zbulonte detaje.
Përsa i përket fotos së ribashkimit të yjeve të “Friends”, që bëri xhiron e rrjetit dhe riktheu aktoren në Instagram, ajo u shpreh: “U bashkuam sepse na mungonte njëri-tjetri dhe rastisi që ishim të gjithë në njërën anë të botës.”
Shtojmë se çdo gjë mund të ndodhë; edhe “Friends” mund të rikthehet sërish, por a do të rezultonte sukses? Një pjesë e mirë e njerëzve mendon që jo. Pse duhet të rinisë një show, që në të vërtetë nuk ka përfunduar kurrë?!
“Friends” është më i popullarizuar sot sesa në kohën kur u transmetua për herë të parë. Të shumtë janë njerëzit, kryesisht adoleshentë dhe të rinj, që e hapin Netflix-in vetëm për të parë grupin me gjashtë anëtarë në Central Perk.
Rikthimi i sitcom-it, sado emocionues qoftë, nuk ka as shpresën më të vogël që mund të tejlakojë seritë e kaluara. Nëse do të kishte, për 15 vite me radhë, producentë dhe regjisorë të zgjuar do ta kishin gjetur çelësin e suksesit.