Njihuni me nënën e Kimikatit për të kuptuar çfarë fsheh talenti i ri i ekranit – AlpeGossip
Njihuni me nënën e Kimikatit për të kuptuar çfarë fsheh talenti i ri i ekranit

Njihuni me nënën e Kimikatit për të kuptuar çfarë fsheh talenti i ri i ekranit

Fama i ka kaluar pritshmëritë jo vetëm të vetë Kimikatit, Olsi Bylykut, por edhe të familjes e të rrethit të tij shoqëror.
Ende pa bërë 20 vjeç, Olsi është kthyer në personazhin më të preferuar të spektaklit të humorit të dielave e tashmë është në fazën e njohjes së vetes apo në fazën e një çekuilibrimi personal, shpirtëror, të cilin, çuditërisht, ai po e menaxhon mjaft mirë.

Rolet e spektaklit të humorin dhe batutat e famshme të Olsit janë kthyer në zhargone të jetës së përditshme, por krahas tyre, Kimikati është edhe një talent i vërtetë në rap. Këtë ai e ka treguar me dy bashkëpunime në muzikë, një prej të cilëve me Bes Kallakun, dhe të tretin sapo e ka prezantuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Top Magazine. Pasionin për muzikën rap e vazhdoi me një këngë të tretë “Kush jam unë”. Jo më kot zgjodhi një titull dhe një tekst i cili në fokus ka pikërisht atë si personazh. Kush ishte dhe kush është sot Kimikati?

Ai vetë nuk ka dëshirë të ndryshojë, madje është i bindur se kështu do të vazhdojë sado i suksesshëm që të bëhet. Duket se e bezdis jo pak fakti që tani, që është personazh publik, ndoshta nuk do ta veshë atë bluzën e preferuar me kapuç, apo nuk do mblidhet te lagjja me çunat… Në fakt, Olsi i bën të gjitha, siç i bënte edhe para Kimikatit dhe për këtë është i lumtur. Natyrisht, edhe i duartrokitur.
Megjithatë, nuk qenka vetëm merita e tij. Bashkë me Olsin, për herë të parë në publik, ishte edhe nëna e tij, Violeta Bylyku.

Ah, mami. Kur flet për të një djalë shqiptar, i mbahet pak fryma. Si Olsit: “Mami është fuqia e çdo çuni shqiptar. Po nuk qe mami, çunat nuk bëjnë asgjë…” – thotë me të qeshur, por krenar për prindërit e tij.

Sapo Violeta vjen në studio, ai ngrihet si djalë zakoni (pika e dobët e të gjithë çunave shqiptarë), por edhe ajo, si ai, është njëlloj krenare për të birin, i cili është po njëlloj, siç ka qenë fëmijë, edhe në “Portokalli”: “Po e përjetojmë shumë mirë suksesin e tij. Olsi i tillë ka qenë, njëlloj siç është në “Portokalli”, këto gjëra bënte që fëmijë”,- tregon e ëma.

Vetëm se për ata nuk është më njëlloj. Nëse duan të dalin në publik, Olsin nuk e marrin me vete, ose e marrin nëpër vende të fshehta. Sapo Olsi hap derën, edhe fëmija që akoma nuk ka mësuar të flasë e sheh me adhurim.
Efekti “famë” ka ndryshuar koka të mëdha në botë, ashtu siç edhe ka mbajtur me këmbë në tokë koka edhe më të mëdha. Olsi është akoma 19 vjeç deri më 18 prill. E ka nuhatur erën joshëse të suksesit, ndaj edhe është ndalur për një moment për të pyetur “Kush jam unë?”, por sërish e kthen kokën pas, te familja.

Pas çdo shfaqjeje, ndoshta pret atë mesazhin e të atit invalid (ai i ka të rralla mesazhet e tilla): “E kam shumë të rëndësishme këtë. Sa herë bëj një material të mirë, babi më çon gjithmonë një mesazh: “Ma njalle zemrën me këtë video. Nëse e njallmja e zemrës së tij është një nga gjërat e mira që bëj, atëherë gjithë jetën do bëj vetëm gjëra të mira”, – zotohet Olsi para publikut dhe me kaq i ka thënë të gjitha.

Publiku e përshëndet, e duartroket dhe dikush përcillet për t’i mbajtur emocionet që shkakton kjo deklaratë e fortë e një 19-vjeçari. Edhe Violeta, si edhe shumë nëna të tjera që kanë ose do të donin të kishin një djalë si ai.