NOSTALGJIA SHQIPTARE/ 12 komeditë shqiptare më të mira të të gjitha kohërave (FOTO+VIDEO) – AlpeGossip
NOSTALGJIA SHQIPTARE/ 12 komeditë shqiptare më të mira të të gjitha kohërave (FOTO+VIDEO)

NOSTALGJIA SHQIPTARE/ 12 komeditë shqiptare më të mira të të gjitha kohërave (FOTO+VIDEO)

Me të hyrë në vitin 2019, ne të stafit të xing.al, u ndjemë papritur të përmalluar për filmin, teatrin, muzikën, artistët dhe kuturën e para viteve 90 dhe fëmijërinë tonë, ndaj vendosëm që përmes një serie artikujsh të përditshëm të rikujtojmë të shkuarën, figurat e mëdha të artit shqiptar por dhe traditat e vjetra. Mirë se vini në ‘Javën e nostalgjisë shqiptare’!

Duke qenë se dje ju rikujtuam batutat më të famshme të filmave shqiptarë që kanë ngelur edhe sot jo vetëm në memorien, por edhe në gjuhën e përditshme të njerëzve, sot po sjellim për ju komeditë më të mira shqiptare të të gjitha kohërave, për të cilat me siguri jeni bërë nostalgjikë.

Pallati 176

Ngjarjet zhvillohen në Pallatin 176, ku jetojnë dy të rinjtë, Elsa dhe Fredi, së bashku me familjet e tyre. Babai i Elsës është drejtor, ndërsa i Fredit punëtor i ndërmarrjes. Gjithçka nis pasi dy të rinjtë dashurohen me njëri-tjetrin. Kur familjet e mësojnë, familja e Elsës kurrsesi nuk pranon të lidhë krushqi me atë të Fredit, mirëpo dashuria e dy të rinjve triumfon.

Zonja nga qyteti

Ollga vendos të jetojë me Melin, vajzën e saj që punon si ndihmës-mjeke në fshat. Pas mundimeve të shumta për t’i gjetur vajzës një burrë qyteti, Ollga i prezanton Melit Koçin, i cili hiqet si një artist. Por Meli ka rënë në dashuri me Bujarin dhe nuk dëshiron të lëvizë nga fshati.

Një shoqe nga fshati

Komedi që pason “Zonjën nga qyteti”. Ollga përgatitet të shkojë në konferencën e gruas aktiviste ku do të flasë për eksperiencën e saj në lidhje me luftën kundër koncepteve konservative. Gjatë një atmosfere të ngrohtë, Ollga i këndon ninullën e parë nipit të saj të porsalindur: “Na ishte njëherë një Ollgë që mbahej si zonjë. Kohët kaluan dhe zonja u bë një nga ne, një shoqe nga fshati”.

Përrallë nga e kaluara

Historia e martesës së Gjinos, 14-vjeçar me Marigonë, 28-vjeçare. Pasi nevojitej një tjetër krah pune në shtëpi, çifti martoi djalin e vogël Gjinon, me Marigonë, e cila ndihmonte çdo ditë vjehrrën me punë të ndryshme. Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan martesën me Gjinon dhe në fund ia del të marrë djaloshin që dashuronte.

Kapedani

Xha Suloja e ka të vështirë t’a urdhërojë një grua, mirëpo pikërisht kjo i ndodh kur kryetarja e kooperativës e cakton të kujdeset për kotecin e pulave, pas një alarmi të rënë gjatë natës. Një burrë i rëndë dhe me mustaqe, ai s’mund ta pranojë kurrsesi këtë detyrë dhe vendos t’a braktisë. Mirëpo, ngjarjet ndërlikohen kur ai merr një fletërrufe dhe duhet t’i bindet urdhërave.

Xha Sulua udhërton për në kryeqytet, ku sheh gra në pozicione nga më të ndryshmet në punë. Madje edhe ish-komisarin e gjen në punë fizike, duke iu bindur një gruaje. Kjo gjë nuk i pëlqen aspak dhe i menduar kthehet në kooperativë, duke ndryshuar mendje…

Tela për violinë

Andon Ledhi është një i ri që po studion për violinë, për t’u pranuar në konkursin e Akademisë së Arteve të Bukura. Mirëpo, babai i tij mendon se i biri s’mund ta fitojë konkursin dhe për këtë arsye fut miq kudo për Andonin. Kryetari i komisionit, Muço, nuk mund të gjykojë me mendje të kthjellët nga kjo situatë e Andonit dhe e shfryn të gjithë zemërimin tek violinisti.

Prefekti

Komedia “Prefekti” ironizon prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist dhe vartësin e tij, i cili ishte drejtues i policisë së Tiranës. Në komedi paraqiten autoktonët e vjetër të Tiranës dhe njerëz që ishin kundër rrymës së asaj kohe.

Shi në plazh

Familja e Alberit, sidomos daja, është kundër lidhjes së tij me një vajzë me profesion aktore, sepse në rini ka përjetuar një zhgënjim nga një histori e ngjashme, transmeton “Xing.al”. Por gjithçka do të ndryshojë gjatë pushimeve të veres, ku familja do të njihet me komshinjtë ngjitur që fusin hundët por dhe me prindërit e vajzës.

Dy herë mat

Ilo Pinci, specialist i peshkut dhe i midhjeve, dhe shahist i njohur, ftohet në një simultane shahu në një qytet bregdetar. Ajo që e shtyn më shumë të vijë në qytet është deshira e fshehtë për të zbuluar të dhëna në lidhje me kultivimin e midhjeve. Gjatë një diskutimi, ai hedh poshtë mendimin e Sazanit, specialist dhe kultivues i midhjes. Mirëpo, në një lojë shahu ndeshet me vajzën e Sazanit, Rudinën, për të cilën nuk është në dijeni se është vajza e tij. Ai mundet nga Rudina e cila vendos një midhje në vend të mbretëreshës. Për këtë arsye, ai pranon humbjen e dyfishtë, kur mëson se ajo është vajza e kundërshtarit të tij dhe në punë.

Çifti i lumtur

Historia e dy të rinjve që vijnë nga besime të ndryshme fetare dhe vendosin të martohen me njëri-tjetrin. Kur këtë ua bëjnë të ditur prindërve, babai i djalit, një konservator, nuk e fsheh dot faktin se nuk e do vajzën që vjen nga një besim tjetër fetar. Ai nis të nxjerrë justifikime që kjo lidhje të bëhet e pamundur. Në fund, ai dorëzohet para dashurisë së dy të rinjve.

Zëvendësi i grave

Gjithçka që Maku do është të ketë një punë të përhershme. Gjithçka të tjeret duan për Makun është të gjejë nuse. Teksa vazhdimisht caktohet si zëvendës i grave që marrin lejen e lindjes, Maku nuk e di ç’plane gatuajnë të tjerët për të.

Edhe kështu, edhe ashtu

Megjithëse Apostol Sako shkruante artikuj dhe jepte leksione mbi dashurinë e lire të rinisë, krejt e kundërta ndodh në shtëpinë e tij, pasi mëson se vajza e tij, Alma, studente e inxhinierisë, dashurohet me një këngëtar. I ati do ta martojë të bijën me një diplomat dhe konfliktet zgjidhen përmes situatave komike.