PASION I THJESHTË/ Historia e ethshme e një dashurie të ndaluar – AlpeGossip
PASION I THJESHTË/ Historia e ethshme e një dashurie të ndaluar

PASION I THJESHTË/ Historia e ethshme e një dashurie të ndaluar

“Kur më telefononte për të lënë takim, thirrja e tij që mezi e kisha pritur nuk do të ndryshonte asgjë. Mbetesha nën po atë tension të dhimbshëm si dhe më parë, isha futur në një gjendje ku dhe realiteti i zërit të tij nuk arrinte të më bënte të lumtur. Gjithçka ishte mungesë pafund, përveç momentit kur ishim bashkë duke bërë dashuri…Madje, dhe në ato çaste më rrinte si çekan në kokë, momenti që do të vinte më pas, kur ai do të kishte ikur…!”

Kjo ndjenjë, e përmbledhur në një paragraf është ndjesi e njohur për të gjithë. Cilado qoftë historia, fuqia e një pasioni të fortë është gati gati e frikshme. Imagjinoni për një çast, që në jetën tuaj të shfaqet dikush dhe gjithçka që truri juaj të përpunojë të jenë mendimet rreth tij. Se sa i frikshëm është pasioni dhe forca që ka ai mbi mendjen dhe funksionin tonë, e tregon qartë një histori dashurie e ndaluar. Një lidhje klandestine që e bën dyfish më të ethshme pritjen, zjarrin dhe boshllëkun që vjen pas.

“Pasion i thjeshtë”, i shkruar nga autorja franceze Annie Ernaux, përkthyer nga Klarita Lagji vjen për herë të parë në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Pasion i thjeshtë: Historia e ethshme e një dashurie të ndaluar

Historia e një burri dhe një gruaje që shkëmbejnë një lidhje të fuqishme dashurie klandestine. Ai, është i huaj, i martuar dhe i vështirë për t’u kapur në çdo kohë. E lajmëron me një telefonatë në çdo moment që i jepet mundësia për të kaluar kohë bashkë. Takimet vijojnë të jenë të shkurtra dhe në çdo fund takimi, ajo e sheh tek vishet dhe të largohet. E që aty rinis ajo që kishte mbetur- pritja obsesive për telefonatën e ardhshme. Kur historia përfundon, burri dhe gruaja ndërpresin çdo kontakt, por ç’ndodh më tej?

Çfarë ndodh kur çlirohesh nga ai pasion që në zgjim, të detyron t’i përgjigjesh pyetjes: “Vërtet më ndodhi mua? A isha unë kjo?”

Përveç romanit “Pasion i thjeshtë” nga Ernaux, “Botimet Dudaj” sjellin të tjera vepra të autores, e cila konsiderohet si “klasike bashkëkohore” si: “Vitet”, Kujtime vajze” dhe “Vendi”.