Portman proteston ndaj Netanyahut, bojkoton “Genesis Prize” - AlpeGossip
Portman proteston ndaj Netanyahut, bojkoton “Genesis Prize”

Portman proteston ndaj Netanyahut, bojkoton “Genesis Prize”

Aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Natalie Portman ka bojkotuar një ceremoni që do të zhvillohej në Izrael, ku do të nderohej me një çmim prej një milion dollarësh, pasi nuk dëshiron të shfaqet si mbështetëse e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili ishte parashikuar të fliste gjatë këtij eventi.

Vendimi i Portman, që sipas saj është “keqinterpretuar nga të tjerët”, ka shkaktuar një përplasje të vogël në Izrael gjatë së premtes, pasi organizatorët e ceremonisë së çmimeve prestigjioze “Genesis Prize” njoftuan anulimin e dhënies së çmimit.

Grupi kishte cituar një përfaqësues të Portmanit të ketë thënë se ngjarjet “shqetësuese” të kohëve të fundit në Izrael kanë detyruar aktoren të tërhiqet. Kjo bëri që shumë vetë ta interpretonin vendimin e saj të lidhur me kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit për shkak të kundërpërgjigjes ushtarake ndaj protestave të palestinezëve në kufirin mes vendit hebre dhe Rripit të Gazës, që gjatë javëve të fundit ka lënë të paktën 35 palestinezë të vdekur.

Izraeli, gjithsesi ka thënë se po bën gjithçka mundet për të mbrojtur kufijtë e tij.

Disa ministra në qeverinë e krahut të djathtë të Netanyahut thanë se Portman u duk e manipuluar nga fushata ndërkombëtare e udhëhequr prej palestinezëve për të bojkotuar Izraelin.

“Më lejoni të flas vetë, – shkroi më pas Portman në “Instagram. – Kam zgjedhur të mos marr pjesë për shkak se nuk dua të konsiderohem si mbështetëse e Benjamin Netanyahut, i cili pritej të mbante një fjalim në atë ceremoni”.

Portman vijoi më tej duke thënë se nuk e mbështet lëvizjen “Bojkot, Shpronësim dhe Sanksione”, që synon ta izolojë Izraelin për shkak të trajtimit që u bën palestinezëve.

“Ashtu si shumë izraelitë dhe hebrenj në mbarë botën, unë mund të jem kritike ndaj udhëheqësisë së vendit, pa dashur të bojkotoj të gjithë kombin”, tha aktorja e famshme.

“Izraeli u krijua ekzaktësisht 70 vite më parë si një strehë e sigurtë për mijëra refugjatët e zhvendosur prej Holokaustit, – u shpreh më tej ajo. – Por, keqtrajtimi i atyre që vuajnë nga mizoritë e sotme thjesht nuk është në të njëjtat linja me vlerat hebreje. Pikërisht sepse më intereson Izraeli, dua të dal hapur kundër dhunës, korrupsionit, pabarazisë dhe abuzimit me pushtetin”.

“Genesis Prize” është dhënë që prej vitit 2014 për individët që kanë shkëlqyer në profesionet e tyre, e që kanë “frymëzuar të tjerët përmes dedikimit ndaj komunitetit hebre dhe vlerave hebraike”.

Mes fituesve të së shkuarës janë edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, skulptori Anish Kapoor, violinisti Itzhak Perlman dhe aktori Michael Douglas, e që të gjithë këta e kanë dhënë si donacion për qëllime bamirësie shumën e përfituar.

Portman është lindur në Jeruzalem, por u transferua nga prindërit në Shtetet e Bashkuara që në moshën 3-vjeçare. Ajo ka fituar “Oscar” për “aktoren më të mirë” në vitin 2010, për rolin e saj në “Black Swan”.