Elvana Gjata konkurron këtë vit në Festivalin e Këngës me një projekt muzikor që është pritur shumë mirë nga publiku. “Me tana” mban titullin kënga që po e dëgjojmë kudo e që ka pasur shumë sukses duke u përfolur kështu si një nga këngët pretendente për fitore. Por në një intervistë për “Aperi Fest”, me Eni Shehun, Elvana është shprehur se e sheh larg Eurovizionin sepse para së gjithash vjen festivali. “Eurovizioni është shumë larg”, ka thënë këngëtarja. Ndërsa për këngën Elvana ka treguar se e ka realizuar para një viti, por po priste momentin e duhur për ta publikuar.
“E dëgjoja dhe kërceja, dhe teksa kërceja, qaja”, ka thënë Elvana për këngën “Me tana”.
Për sa i përket koreografisë, janë bashkuar tre valle në një: vallja e jugut, Shqipërisë së mesme dhe e veriut, ndërthurur me elemente moderne. Albi Nako tha se çdo lëvizje është menduar që Elvana të mos ketë probleme me zërin gjatë performancës.