Vetëm një muaj na ndajnë nga dasma mbretërore mes princ Harry-t dhe Meghan Markle. Tashmë që përgatitjet pothuajse kanë përfunduar dhe të gjithëve po na duket se Meghan është përshtatur më së miri me jetën mbretërore, gjysmë vëllai i saj, aktori amerikan Thomas Jnr ka bërë një deklaratë shokuese për të.
Ai është shprehur për “Daily Mirror” se fama e ka ndryshuar tërësisht motrën e tij dhe ajo i ka harruar rrënjët e saj, madje i ka ndërprerë kontaktet më familjen e saj.
“Ajo ka harruar të afërmit e saj. Meg i pëlqen të duket si një njeri humanitar, dashamirës dhe shumë i përkujdesur, por ndërkohë me familjen e saj nuk është aspak kështu. Po luan rolin gjatë gjithë kohës, është hipokrite. Kam lexuar që Meg do të jetë si Diana. Diana-n e donte gjithë bota për shumë arsye. Kjo është çka Meghan do, por nuk do të ndodhë. Ajo nuk është e vërtetë dhe e sinqertë si Diana”, mësohet të ketë thënë Thomas për të motrën.
Aktori amerikan deklaroi se nuk e kishte parë të motrën që në funeralin e gjyshes në vitin 2011. 51-vjeçari tha se ende nuk ka marrë një ftesë nga Meghan dhe se është në pritje. Madje ai tregoi se i kishte shkruar një letër të motrës, por nuk kishte marrë ende përgjigje.