VLERAT E PAÇMUESHME TË FILIZAVE/ Ja si mund t’i konsumojmë – AlpeGossip
VLERAT E PAÇMUESHME TË FILIZAVE/ Ja si mund t’i konsumojmë

VLERAT E PAÇMUESHME TË FILIZAVE/ Ja si mund t’i konsumojmë

Keni parë ose provuar ndonjëherë pjata shumëngjyrëshe, të dekoruara me filiza të freskët dhe kërce të të gjitha formave dhe ngjyrave? Shpeshherë, këto pjata janë aq të bukura sa ngjasojnë me shumë me një vepër arti, sesa me një produkt të ngrënshëm; këta janë filizat e bathëve, drithërave dhe specieve të tjera vegjetale, që përdoren të gjitha për konsum, edhe fara edhe filizi. Të shijshme, të pasura me lëndë ushqyese si vitamina dhe enzima, janë të lehta për t’u tretur dhe njihen që në antikitet si terapi për një sere patologjish, si: dhimbja e veshkave, problemet me tretjen dhe dhimbjet.

FILIZA TË TË GJITHA SHIJEVE

Llojet e farave që mund t’i mbjellim dhe të dalin filizat janë të shumta dhe të ndryshme. Më të përdorurat janë soja jeshile, qiqrat, fasulet, thjerrëzat, gruri, luledielli, tërshëra, meli dhe orizi. Përgatitja e tyre është e thjeshtë dhe ekonomike, gjithashtu na lejon të kemi gjithmonë perime të freskëta, të pasura me vlera të dobishme ushqyese për forcimin dhe mbrojtjen natyrale të organizmit, si dhe për t’i dhënë gjallëri dhe ngjyrë çdo pjate.

SI MUND T’I PËRGATISIM

Besoj se ju kujtohen provat që bënim në shkollë në lëndën e biologjisë, me kavanoza dhe fasule, ndaj nëse ia keni dalë mbanë atëherë me një kokërr fasule, pak pambuk, një kavanoz dhe ujë, pa dyshim që do të keni sukses edhe tani, sepse është e njëjta gjë, por me më shumë fara.

Së pari, i lajmë me kujdes farat e zgjedhura, të cilat duhet të kenë origjinë organike, pastaj i lëmë në ujë për 6-12 orë (kjo varet nga madhësia e tyre). Gjatë kësaj periudhe, farat do të dyfishojnë vëllimin, falë ujit që do të thithin. Në këtë faze fillon mbirja e farës, e cila hapet dhe del sythi i filizit që thith të gjitha vlerat ushqyese të farës, duke u forcuar dhe rritur. Nëse do ta vendosnim në tokë, do të lulëzonte një bimë e vërtetë. Në këtë pike kulloni farat nga uji dhe vendosini në një enë ushqimore, si: një kavanoz qelqi, një tas ose pjatë dhe mbulojini me një pecetë të lagur. Lërini të mbijnë, duke i shpëlarë dy herë në ditë 2-3 ditët e para, pastaj vetëm një herë derisa filizi të formohet plotësisht. Farat e qiqrës dhe sojës duhet të shpëlahen dy herë në ditë. Prisni 5 deri në 6 ditë, derisa filizi të ketë arritur një lartësi prej 3-4 cm; atëherë mund t’i përdorni ato sipas dëshirës. Koha e rritjes ndryshon sipas temperaturës ku do t’i mbani dhe llojit të farës së zgjedhur. Pasi të jenë gati, lajini, thajini mirë dhe pasuroni pjatat tuaja me këto gjallesa plot me ngjyrë.

SI MUND T’I KONSUMOJMË FILIZAT

Filizat mund të hahen të papërpunuar, pa i shtuar asgjë, në sallata të ndryshme me vaj dhe limon ose të gatuara, por do të humbasin një pjesë të madhe të vlerave ushqyese. Ato gjithashtu mund të shtohen në majonezë ose në salca të ndryshme, për t’i dhënë shije peshkut ose perimeve; mund të mbushim makarona ose t’i shtojmë në oriz.

VLERAT USHQYESE

Në transformimin nga farë në filiz ndodhin shumë ndryshime biokimike: karbohidratet e përbëra shpërbëhen në sheqerna të thjeshta (kjo është edhe arsyeja pse kanë shije të ëmbël), proteinat reduktohen në aminoacide, kripërat minerale bëhen më të asimilueshme nga organizmi, vitaminat janë të përqendruara dhe në shumë raste dyfishohen. Në përgjithësi, filizat janë shumë herë më të tretshëm dhe më të pasur në substanca të dobishme, sesa farat. Duhet ta provoni, që ta besoni