“GJAK, FRIKË, VUAJTJE”/ Këngëtarja shqiptare kujton tmerret e luftës në Kosovë (FOTO) – AlpeGossip
“GJAK, FRIKË, VUAJTJE”/ Këngëtarja shqiptare kujton tmerret e luftës në Kosovë (FOTO)

“GJAK, FRIKË, VUAJTJE”/ Këngëtarja shqiptare kujton tmerret e luftës në Kosovë (FOTO)

Në 20-vjetorin e luftës në Kosovë dhe bombardimit të forcave të NATO-s, këngëtarja shqiptare Rona Nishliu ka risjellë përjetimet e saj të dhimbshme që ende dhe sot i ndjen.

Rona Nishliu ka ndarë dhimbjen e saj me fansat në Instagram, ku ka publikuar edhe dy foto që i kujtojnë atmosferën e asaj kohe dhe dhimbjet e njerëzve që humbën, ëndrrat dhe shtëpitë e tyre.

“Kjo ishte situata ime dhe e qindra mijëra bashkëqytetarëve të mi në Kosovë 20 vite më parë. Ndërgjegjja ime po kalon një proces sistematik të të riprodhuarit kujtime nga lufta duke më kthyer atmosferën e saj çdo mbrëmje të shkurtit dhe marsit, në ëndrrat e mia. Shtëpi tek e cila ende nuk mund të shkoj, familjarë që kanë ndërruar jetë, forcat militante serbe, rrënim, gjak, frikë, vuajtje, të gjitha vijnë në ëndrrat e mia dhe zgjohem e mbuluar nga djersë të ftohta. Është e rëndësishme të kujtojmë të shkruarën që të mos përsëritet kurrë më. Paqe!”, ka shkruar Nishliu.

Postimi i saj prekës ka emocionuar me dhjetëra artistë të cilët nuk mund të rrinin pa e bërë një koment për vuajtjet e shqiptarëve në atë kohë. Mes tyre është edhe komenti i Aurela Gaçes e cila e kujton atë kohë si një periudhë të tmerrshme:

“I mbaj mend fëmijët e familje të tëra që prisnin të strehoheshin nga shteti amë. Tmerr që mos e pafshin me sytë e zemrat e nënave e baballarëve teksa mundoheshin të mbanin krahëve fëmijët ,të lodhur e të rraskapitur, për t’i shpëtuar ferrit. Ajo kohë mbaroi. E gëzoftë lirinë Kosova e kurrë mos u harroftë gjaku i derdhur për liri”.