KORONAVIRUSI/ Ja kur do të marrë fund pandemia – AlpeGossip
KORONAVIRUSI/ Ja kur do të marrë fund pandemia

KORONAVIRUSI/ Ja kur do të marrë fund pandemia

Pesë ditë më parë, OBSH e shpalli Covid-19 pandemi, që do të thotë se është përhapur gjerësisht në gjithë botë. Momentalisht janë mbi 160 mijë raste të konfirmuara dhe 6400 jetë të humbura.

Teksa shtete dhe qytete vihen në karantinë, kufizojnë udhëtimin, anullojnë udhëtime dhe deklarojnë gjendjen e emergjencës, lind pyetja: Kur do të marrë fund pandemia? Me pak fjalë, askush s’e di me siguri, por ekspertët e sëmundjeve infektive dhe studiuesit dinë diçka më shumë se të tjerët.

Për sa gjatë do tëpërballemi me koronavirusin?

Praktikisht, është e  pamundur të përcaktohet kur do të zbehet koronavirusi sepse është një virus i ri dhe i paparashikueshëm,” thotë Faheem Younus, mjek dhe kreu i sëmundjeve infektive në University of Maryland Upper Chesapeake Health. Por bota ka kaluar pandemi më parë dhe me kalimin e kohës, vihen nën kontroll përmes vaksinimit të popullsisë. Duke analizuar pandemitë e mëparshme, studiuesit kanë dalë në përfundimin që kjo pandemi mund të zgjasë nga 12-36 muaj.

Për shembull, në vitin 2009 u shpall pandemia e gripit H1N1 (i njohur edhe si gripi i derrit). OBSH e deklaroi pandemi në qershor, vaksinat u aprovuan në shtator dhe në tetor njerëzit nisën të vaksinoheshin. Pandemia mori fund në gusht të 2010-s.

Problemi qëndron në faktin se s’mund të modelosh një pandemi të re bazuar te një e vjetër sepse nuk bëhet fjalë për të njëjtin virus. Viruset përhapen dhe sillen ndryshe nga njëri-tjetri,” thotë Rishi Desai, mjek dhe efektiv i epidemive në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve në Amerikë. Sa më shumë informacion të kemi për Covid-19, aq më të sakta do të jenë parashikimet që do të bëjmë për të. “Unë pres që Covid-19 të jetë problem për një pjesë të mirë të 2020-s dhe situata do të përmirësohet në fillim të 2021-s,” thotë Dr. Desai. “Pas një viti mund të jetë krijuar një vaksinë dhe do të kemi më shumë përvojë me sëmundjen.”

Lajme të mira: Momentalisht, shkencëtarët po punojnë për zhvillimin e disa vaksinave edhe në kafshë, edhe në njerëz. Drejtori i OBSH tha se mund të duhen 18 muaj për perfeksionimin e një vaksine.

A do ta largojë moti i ngrohtë koronavirusin?

Mund të keni dëgjuar se pandemia e Covid-19 mund të zbehet në pranverë meqë llojet e tjera të koronaviruseve e arrijnë pikun mes dhjetorit dhe marsit. Sërish, “nuk mund të flasim me siguri për drejtimin që do të marrë ky virus,” thotë Sandra Kesh, mjeke dhe specialiste e sëmundjeve specialiste. Për momentin, ekspertët nuk dinë mjaftueshëm për mënyrën si përhapet Covid-19 dhe nëse ndryshimi i temperaturave do të ketë ndonjëfarë ndikimi apo jo.

Gjithashtu, ndyrshimi i stinëve ka pak ose aspak ndikim te viruset e reja,” thotë Dr. Kesh. Pra mund të dilni jashtë dhe të sëmureni edhe pse s’është dimër. Kini parasysh se pandemia është globale, pra nëse këtu është verë, tjetërkund është dimër. Teksa situata përmirësohet në hemisferën e veriut, përkeqësohet në atë të jugut.

Çfarë do të ndodhë me koronavirusin muajt në vijim?

“Ngaqë ky është një virus i ri, ata që s’janë infektuar (shumica e botës) nuk kanë imunitet ndaj tij,” thotë Dr. Kesh. Në rastin më të keq, “nëse sëmuren shumë njerëz në të njëjtin vend, sistemi shëndetësor do të pësojë kolaps dhe s’do të ketë mjaftueshëm burime për të gjithë. Jeta nuk do të vijojë si më parë.” OBSH ka kërkuar një rritje me 40% të prodhimit të pajisjeve mjekësore pasi stafi spitalor po përballet me mungesa të dorezave dhe maskave N95.

Në Shqipëri, siç parashikohej, është ndaluar qarkullimi i automjeteve, grumbullimet masive, koncertet, janë mbyllur lokalet, baret dhe restorantet, njerëzit po nxiten të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë dhe janë mbyllur kufijtë.

E gjitha kjo ka një anë të mirë: “Teksa virusi përhapet, më shumë njerëz do të fitojnë imunitet kundrë tij dhe ndikimi do të pakësohet me kalimin e kohës,” thotë Dr. Kesh. Sidoqoftë, nuk dihet ende kur do të ndodhë kjo.

Çfarë të bëni tani?

Sigurohuni që jeni të përgatitur për ndryshimet që ju presin në stilin e jetesës. Ndiqni rrjedhën sepse të ardhmes nuk i dihet.

Ama, e ardhmja varet nga mënyra si sillemi ne. Dëgjoni ekspertët dhe ruani qetësinë, lani duart shpesh, mos prekni fytyrën, informohuni mbi simptomat dhe qëndroni larg nga grupmoshat e rrezikuara. Inkurajoni familjarët dhe miqtë të bëjnë të njëjtën gjë. Për t’u ndjerë më mirë: “Për një njeri të shëndetshëm, Covid-19 nuk është i rrezikshëm dhe nuk do të ketë pasoja fatale,” thotë Dr. Younus.

Përshtatur nga Women’s Health