Këngëtarja shqiptare rrëfen historinë e pazakontë të dashurisë: E njoha në vendin që paragjykoja – AlpeGossip
Këngëtarja shqiptare rrëfen historinë e pazakontë të dashurisë: E njoha në vendin që paragjykoja

Këngëtarja shqiptare rrëfen historinë e pazakontë të dashurisë: E njoha në vendin që paragjykoja

Sa herë të vjen në mend të kujtosh serenatat korçare, nuk ka mundësi ta harrosh emrin e Ermira Kolës, një prej figurave më lozonjare të skenës, e cila numëron vite të tëra në muzikën e lehtë, por edhe shumë vite në muzikën live në Tiranë. Por u bënë rreth dy vjet që Ermira i ka munguar muzikës live dhe publikut të saj. Arsyeja është shumë e thjeshtë: është bërë nënë dhe i është përkushtuar me kohë të plotë Xhonit, djalit të saj të vogël.

 

Mëmësia, si për të gjitha nënat e reja, edhe për Ermirën është prioriteti që rrëzon çdo plan e projektet profesional, sado i rëndësishëm të jetë. Ndaj, as ajo nuk mund të bënte përjashtim.

Pasditen e sotme, Ermira ishte e ftuar në “Rudina”, nga ku rrëfeu më shumë për jetën e re si nënë, por pa lënë mënjanë edhe njohjen me bashkëshortin, Besnikun, martesa me të cilin i ka kaluar 10 vjet tashmë.

“Ne jemi njohur në biznesin ku unë punoja. Në ato kohë, është e çuditshme, isha selektive. Më pëlqente të merrja pjesë në festat e Vitit të Ri, në skena, apo si Shën Valentini. Për lokalet, me thënë të drejtën, kisha paksa paragjykime. Por Zoti më tha ‘do të të çoj të këndosh muzikë live në qendër të Tiranës’ – tregon Ermira duke kujtuar vitet e para në Tiranë, pas ardhjes nga Korça. “Unë vendosa ta rindërtoja jetën në Tiranë, por fati më solli që atje brenda të njihja dhe shokun tim të jetës. Fati e solli këtë njeri atje ku unë s’e prisja…” – shton ajo më tej.

Ishte puna ajo që i afroi më shumë Ermirën dhe Besnikun. Ku ka më mirë? “Është një gjë shumë e mirë ta njohësh në punë, sepse atje njeh shumë cilësi të tij. Për më tepër, ke të bësh me një njeri i cili e kupton mjaft mirë profesionin tënd. Kështu ishte edhe Niku…”

Pas një fejese që erdhi shumë shpejt, po aq shpejt erdhi edhe martesa – pas tre muajsh. Siç tregon këngëtarja, ishte një dasmë e madhe e me shumë të ftuar, 400 dasma e saj dhe 300 ajo e Besnikut. Tradicionale deri në detajet më të vogla, që nga përgatitja e qiqrave në fillim të javës e deri te ritet e Korçës gjatë gjithë javës së madhe.

 

Lindja në Amerikë, për Ermirën ka qenë një tjetër moment delikat. Xhoni lindi atje me ndihmën e familjarëve, por pa praninë e atë atit dhe kjo nuk ishte periudhë e lehtë për të. Pas pas 40 ditëve u kthye shpejt në Shqipëri për t’iu bashkuar bashkëshortit dhe familjes së saj.

8 vjet pas martesës, erdhi në jetë Xhoni, i cili ua ka ndryshuar jetën Ermirës dhe Besnikut, por edhe gjyshërve të tij, të cilët e llastojnë ashtu siç bëjnë të gjithë gjyshërit.

I gjithë ky dyvjeçar ka kaluar duke pasur në qendër të vëmendjes Xhonin, por tani që ai po rritet më shpejt se duket, edhe këngëtarja po mendon të vijë gjatë verës me projekte të reja muzikore. Por gjithashtu, ka në plan që shumë shpejt t’i sjellë edhe një motër të birit: “E mendoj shumë shpejt. Nëse doja një fëmijë që të bëhesha nënë, tani dua një fëmijë që të mos e lë Xhonin vetëm. Do përpiqem që të sjell një tjetër në jetë. Kam qejf të jetë vajzë, por Zoti e di”, – thotë ajo.

Familja e Ermirës është sa tradicionale, aq edhe e ngrohtë. Bashkë me çiftin jetojnë edhe prindërit e Besnikut. Siç rrëfen Ermira, janë bashkë prej 10-vjetësh, ajo është një nuse shembullore dhe për këtë ka zbuluar edhe sekretin: “Jam një nuse shembullore, po them se nëse do të bashkëjetosh, duhet të tolerosh dhe të durosh…”