Tersi sipas shqiptarëve: Bestytnitë më qesharake prej të cilave duhet hequr dorë! – AlpeGossip
Tersi sipas shqiptarëve: Bestytnitë më qesharake prej të cilave duhet hequr dorë!

Tersi sipas shqiptarëve: Bestytnitë më qesharake prej të cilave duhet hequr dorë!

Shqiptarët dhe bestytnitë kanë patur gjithnjë një lidhje të veçantë. Aq shumë sa para çdo veprimi apo hapi do të pyesim ‘mos është keq’ dhe në fakt me të drejtë. Sepse, përveç tersit të pasqyrës së thyer apo maces së zezë që të pret rrugën, (të cilat janë të njohura botërisht) janë kaq shumë gjëra të cilat na kanë konfuzuar sa herë i dëgjonim vërdallë nëpër shtëpi.

Po cilat janë disa prej bestytnive të cilat vazhdojmë t’i besojmë ndonëse në fund të ditës brenda nesh e dimë që janë një kotësi e madhe. Ose thjesht, kanë lindur nga nevoja për të vënë rregull.

Le ta fillojmë me gjithë gjërat që s’duhet të bëjmë natën

1. Mos hidhni plehra

Sa e sa herë e kemi dëgjuar që natën nuk hidhen plehrat? Dhe kur pyesje të shtëpisë përse, gjithçka merrje si përgjigje ishte “është keq” apo “ikën bereqeti i shtëpisë”. Po mirë, e respektuam. Ndonjë ndryshim në bereqet nuk është se vumë re, por të paktën u bëmë komshinj të denjë. Epo si të na e mësonin ndryshe që plehrat hidhen ditën menjëherë pas punëve të shtëpisë?

2. Mos bëni gafë të prisni thonjtë!

Nëse mami të shihte në duar me një prerëse thonjsh, e dije shumë mirë ç’të priste. Sepse të presësh thonjtë natën qenka ters. Pse-në nuk e mësuam kurrë, por arsyeja e vërtetë me siguri është komplet tjetër gjë. E keni parasysh, natën nuk para shihet mirë dhe thonjtë mund t’i gjesh nëpër tapet, apo sipër komedinës. A ka ters më të madh për mamin?

3. Flokët nuk priten natën dhe as kur Hëna është duke u ngrënë

Kur Hëna është e plotë, thuhet se flokët do të duken super të shëndetshëm dhe e kundërta nëse ajo është duke u ngrënë. Hmm, po mirë nuk humbasim asgjë nëse e provojmë. Tingëllon si diçka që bën sens.

4. Mos u shih në pasqyrë natën

Të shihesh në pasqyrë është kënaqësi më vete dhe kjo mund të bëhet në çdo orë të ditës, por jo. Nëse ti po dashuron flokët, apo fytyrën tënde, ke acaruar gjithë familjen. E ke dëgjuar mbi 15894 herë që nuk është mirë të shihesh natën. Arsyen e vërtetë se mësuam kurrë, por legjendat thonë se ‘pasqyra ka energji dhe merr nga vitet e tua’. Gjepura!

5. Gërshërët dhe dollapet e shtëpisë s’duhet të rrinë kurrë hapur!

Sepse nëse e bëni, më pas ju pret një sherr i madh. Por në fakt, kjo lloj bestytënie ka dalë me siguri nga nevoja. Duhej gjendur patjetër një mënyrë që gjërat të liheshin në vendin e duhur dhe në mënyrën e duhur. Po, mund të zgjoheni!

6. Zëri i kukumjaçkës

Të gjithë e kanë dëgjuar të paktën njëherë në jetë që ‘kur një kukumjaçkë këndon pranë shtëpisë, do të dëgjoni një lajm të keq’. Kjo bestytni e ka origjinën kaq të largët, por ajo çfarë është më e frikshme është se njerëzit ende panikosen kur dëgjojnë zërin e saj.

Ashtu si të gjithë shpendët e tjerë edhe kukumjaçës nëna natyrë i ka dhënë një zë dhe kaq. Nëse njerëzve nuk u pëlqen, ky është problemi i tyre. Kukumjaçka mund të këndojë e qetë mbi cilëndo çati që do t’i bjerë rasti.

7. Sa herë na duhet pak fat, mami a gjyshja është gjithnjë aty duhe na hedhur ujë dhe sheqer.

Thuhej se kështu rruga do të ecte mbarë dhe gjithçka tjetër do të shkonte po aq ëmbël sa sheqeri. Por ç’efekt mund të kishte sheqeri nëse lexove vetëm gjysmë ore para provimit?