Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu po kalojnë festa të ndara. Burime afër dy “mikeshave” e konfirmojnë këtë fakt për newsbomb.al, duke shtuar se edhe spektakli një ditë më vonë pas festivalit, ku uroheshin krishtlindjet dhe viti i Ri nga të dyja, ka qenë i regjistruar më parë.
Por realisht cfarë ka ndodhur?
Asgjë nuk ka mbetur e fshehtë për sa kohë që palët kanë folur publikisht. Fituesja e Edicionit të 58-të të këngës në RTVSH është bërë “mollë sherri” mes të dyjave.
Dukej qartë se që nga qershori, projektimi për fituesin e festivalit ka qenë Arilena Ara, përsa kohë që asistenti i Grabockës, është edhe menaxheri i këngëtares. Por më vonë, me ndërhyrjen e Alketës, vendin dalëngadalë po e zinte Elvana Gjata. Madje edhe mediat shkruan se fituesja ishte paracaktuar.
Vera Grabocka, sic duket, lejoi Alketën, edhe si producente të bëntë ç’të donte. Në shkallët e RTSH citohej gjithmonë regjizorja se s’kishte dashur këtë festival, por e kishte pranuar veç prej Alketës. E cila, duhet thënë, pas performancës së tre netëve të festivalit, duket se ka të tjera plane ambicioze në kokë, dhe një element më shumë në CV e vet për menaxhimin e një festivali të tillë.
Por gjërat nuk shkuan siç kishin parashikuar dy mikeshat. Kështu, në të tre netët, Alketa në skenë fliste për jurinë profesionale që do gjykonte këngëtarët. Por vetëm pas shpalljes së çmimit, Vejsiu shpërtheu me akuza për “jurinë shqiptare” e “jurinë e huaj”, aq sa çoi edhe në rebelimin e një prej anëtareve të jurisë, edhe publikisht.
Duket se Vejsiu nuk kishte parashikuar faktorin “Grabocka”. Ulkonja e vjetër e paskuintave, kishte të tjera plane, dhe nuk i ndahej fjalës së dhënë e kandidaturës së parë.
Në përfundim të shpalljes së çmimeve, në dhomën e zhveshjes së këngëtarëve kishte tension. Alketa dhe Elvana, kanë shfrytëzuar dhomën VIP të zhveshjes, ndërsa të tjerët, të gjithë bashkë. Madje, Elvana, as nuk e ka marrë kupën e vendit të dytë të festivalit. Ka ikur menjëherë nga Pallati i Kongreseve, dhe nuk ka qëndruar në post-festival.
Vera Grabocka, ka zbritur nga regjia dhe ka dashur të flasë me Alketën. E cila vazhdonte të qëndronte në dhomën e saj. Në momentin që ka hyrë Vera, njerëzit që kanë qenë aty, tregojnë se Alketa I ka thënë stafit të dalë jashtë dhomës. Por tonet e larta të zërave të të dyjave, Alketës dhe Verës, janë dëgjuar edhe në korridore.
Përfundimisht, “sherr”. Nuk dihet nëse të dyja kanë folur më vonë. Aq më tepër që karrierën artistike e kanë lidhur me njëra tjetrën. Por nëse Vera Grabocka, 70 vjeçare, ka nevojë për imazhin e Alketës, në shumë produksione të përbashkëta, a do të jetë e njëjta gjë për Alketa Vejsiun, e cila ka të tjera ambicie?
Një gjë mund të thuhet pas kësaj “ftohjeje” të fundvitit. Në thelb, asnjëra prej të dyjave nuk do të pranojnë që emra si Elvana Gjata apo Arilena Ara të prishin “miqësinë” disa vjeçare të tyre. Madje, ato nuk janë vetëm mikesha spektaklesh. Edhe vilat, i kanë ndërtuar pranë njëra tjetrës. Duan, s’duan, do të përshëndeten mëngjeseve a darkave kur të mblidhen.
Gjithsesi, për këtë fundvit, të dyja e tronditën ndjeshëm, skenën kulturore të përgjumur shqiptare. Sepse për të folur për të ardhurat e festivalit, për fondet e dhëna nga TVSH për festivalin, për faktin se drejtuesi artistik i festivalit bën edhe këngë (!!!); që në festival janë pranuar edhe producentë e kompozitorë të huaj, siç ishte edhe kënga fituese; për kompozimin e më shumë se një kënge nga një kompozitor; apo edhe për menaxhimin e reklamave të festivalit; për ndryshimin e rregullave të Festivalit; pra për të gjitha këto, do të duhet një artikull i veçantë. / newsbomb.al