Qetsor Ferunaj, ish-fitues i edicionit të dytë të “Big Brother”, është rikthyer në këtë format tashmë “Vip” me synimin për të triumfuar sërish.
Por, edhe pse mbahet mend për këtë triumf të tij, ky nuk ka qenë formati i vetëm i këtij lloji ku Qetsori është bërë pjesë. 15 vite më parë, pas triumfit në “Big Brother”, Qetsori u bë pjesë e formatit “Vip Shpija” në Kosovë një “reality show” i ngjashëm me atë të “Big Brother”, ku zuri vendin e dytë. Pas përfundimit të “reality show”-t ai hodhi akuza dhe sulmoi fituesin Ardit Stafaj.
“Unë me fituesin pata disa përplasje, ndërsa e cilësova ‘gay’ apo e thellova më tej këtë debat në lidhje me prirjet e tij seksuale, ndërsa i thosha se: ‘Gay në fakt është Elton John, ti je shumë poshtë për t’u krahasuar me të’. Ai më kundërshtonte dhe e mohonte këtë fakt, megjithatë ç’rëndësi kanë këto tashmë. Arditi është djalë i mirë, profesor muzike dhe vjen nga një familje artistësh. Por, unë s’do preferoja Arditin fitues. Unë personalisht bëra tifo për rokerin Xuxi dhe nëse do ishte për mua, do kisha dëshirë që çmimin ta merrte ai”, u shpreh Qetsori në atë në kohë.
Më vonë në janar të vitit 2012, Qetsori u akuzua nga Policia me akuzën e vjedhjes dhe u la i lirë pak ditë më vonë. Qetsori u akuzua për vjedhjen e disa tubave prej hekuri në pronësi të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Sipas akuzës, Qetsor Ferrunaj kishte marrë tre punëtorë për të nxjerrë tubacionet, që kishin shërbyer para viteve 1990 për vaditjen e agrumeve në zonën e Orikumit. “Më në fund, mora vendimin e pafajësisë në dorë, ashtu siç e prisja. Ndihem vërtet i çliruar pas 2 vitesh ankth pas përfshirjes në këtë histori, që mund të konsiderohej absurde për mua, sidomos me etiketimin vjedhje”, tha Qetsori për në atë kohë.
Publiku shqiptar e kujton Qetsorin si fitues të edicionit të dytë të “Big Brother”, një nga edicionet më dinamikë të këtij formati për shkak se prodhoi shumë personazhe që kujtohen edhe sot e kësaj dite. Një ndër ta ishte edhe Bjordi, i cili arriti deri në finale, në atë edicion ndërkohë pas rikthimit në formatin “Vip” qëndroi vetëm pak javë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Ndërkohë në deklaratat e bëra vitin e shkuar, duket se Qetsori është ndër ndjekësit më të zjarrtë të këtij formati, çfarë edhe për rrjedhojë e njeh shumë mirë lojën. Vetëm pak kohë ai dha një intervistë në media, duke iu rikthyer edhe njëherë lojës së tij në “Big Brother” 15 vite më parë.
Qetsori u pyet për strategjinë që i solli fitoren, të cilën e tregoi duke pasur edhe një kritikë për personazhet VIP. “Unë në fillim mendoja se do të rrija një javë aty, se ishte lojë shumë e stresueshme, shumë e vështirë. Me kalimin e kohës edhe javën e parë ashtu e kalova, nën efekt hipnoze komplet. Por, duke kaluar koha, duke u marrë me kuzhinën, me bisedat e përditshme, duke qenë edhe sportist, zhytës, në këto momente trysnie të jep një lloj qetësie sporti.
Dhe fillova që ta fitoj atë qetësinë, ditë për ditë nga një batutë, duke kaluar këndshëm. Do të doja të kritikoja banorët tani se asnjëri prej tyre nuk është akoma një palombar, që ta mbajë presionin. Të shtojnë pak sensin e batutave aty brenda që të na argëtojnë më shumë. Janë 100 mijë euro për t’u marrë, nuk mund të merren vetëm me sherr, stres”, tha ai, duke iu referuar lojës së VIP-ave në “Big Brother Vip 1”. Para se të bëhej pjesë e lojës, për të dytën herë, ish-fituesi i edicionit të dytë, ka folur në media rreth këtij edicioni. Natyrisht që theksi i fjalës së tij ka qenë tek lidhja e Luizit dhe Kiarës. Në atë çfarë Qetsori ka thënë, kjo lidhje do të zgjasë edhe aq sa zgjat edhe “Big Brother”.
Qetsori nuk i besonte kësaj lidhjeje, kur ishte jashtë lojës. Por tashmë që është bërë pjesë e garës, duket se ai është fokusuar tek loja, duke u vendosur përballë me Luizin që në ditët e para.
Qetsori dhe Luizi nuk i kanë marrëdhëniet e mira dhe debatet mes tyre e konfirmuan këtë. Një nga mbrëmjet, kur Luizi po bënte batuta me theksin italian të Jorit pasi kjo e fundit po fliste për tatuazhin që kishte bërë Qetsori. Luizi nisi të ngacmonte Jorin, duke iu referuar fjalëve që ajo përdori, por Qetsori sulmoi këngëtarin duke e marrë personale komentin e tij. Këngëtari i tha ish-fituesit të edicionit të dytë se nuk e arrin dot as me 14 edicione të “Big Brother” në vazhdim, dhe kjo nuk u prit mirë nga Qetsori.
“Po rri o Qetsor se e di ku je me mua, rri o shpirt se je vite larg shumë. Për 14 ‘Big Brother’- a nuk më arrin”, u shpreh Luizi. Debatet mes tyre kanë përfshirë edhe banorët e tjerë. Qetsori u tregoi Shpatit dhe Antonelës, se kishte pasur një “përplasje” me Luizit. Ai u tha se i kishte shprehur Luizit që mund të dalë Sabiani nga shtëpia, sepse mund të gabojë për shkak të emocioneve, ndërsa ky i fundit i kishte treguar këngëtarit. “I thashë Luizit mund të dalë Sabi, sepse mund të gabojë për shkak se është i ngarkuar emocionalisht. Po unë ia thashë Luizit dhe ai maskarai shkoi, ia tha. Ai më tha hajde këtu, shkova dhe i thashë që po”, u shpreh djali nga Vlora. Sabiani dhe Qetsori u përfshinë në një debat gjatë pasi Luizi tha se, Qetsori i kishte thënë atij se të martën nuk del as Olta, as Armaldo e as Kristi, por del Sabiani.
Ai gjithashtu kishte thënë se Sabiani do gabojë, ndaj ai mendon që mund të rrezikojë nominimin. Ky koment nuk u prit mirë nga Sabiani, i cili i tha Qetsorit se nuk ka pse aludon për gjëra kot dhe se burrat sipas tij, kur të japin respekt, e mbajnë atë. Qetsori tha se komenti i tij nuk ka lidhje me respektin dhe se thjesht ai kështu e mendon se do të ndodhë. Sabiani i tha Qetsorit që i vjen keq që ai mendon kështu, ndërsa i tha atij të mos bëjë teste me të. Nga ana tjetër, Qetsori i tha Sabianit që mos t’i japë këshilla atij. Qëllimet e Qetsorit në “Big Brother” janë më se të qarta. Që në orët e para, djali nga Dukati i Vlorës është përplasur me Luizin, duke marrë vëmendjen e të gjithëve. Madje, ai është duke kërkuar të formojë një grup tjetër brenda shtëpisë së “Big Brother”, duke marrë direkt rolin e liderit. Mbeten për t’u parë sesi do të vijojnë dinamikat mes Qetsorit dhe protagonistëve të “Big Brother”.