Clare Clark nuk e kishte imagjinuar kurrë që një reklamë në Facebook, një nga të shumtat që na shfaqen çdo ditë, do t’i shkaktonte alergjinë më të rëndë që mund t’i ndodhte në jetë. Gjithçka nisi javën e parë të marsit, kur 42-vjeçarja britanike nga Bristol vendosi të blinte një zbardhues dhëmbësh në një faqe jo fort të njohur. Çmimi prej 60 dollarësh ju duk shumë tundues dhe nuk hezitoi aspak ta bënte të sajin, ndonëse nuk kishte as më të voglin informacion rreth përdorimit të tij, garancisë apo sa efektiv mund të ishte xheli zbardhues që ”i mori mendjen”. Megjithatë mamaja e dy fëmijëve do të asistohej nga një person i përzgjedhur i kompanisë, çka e bëri të besonte se ishte një produkti testuar më parë dhe i padëmshëm.
Clare kishte bërë zbardhim dhëmbësh vetëm një herë në jetën e saj, në 2006-ën, por ndryshe nga 13 vite më parë, kësaj here trajtimi do të bëhej në shtëpi. Ndërkohë që procesi ishte drejt fundit, ajo ndjeu që një pikë e xhelit zbardhues i ra në buzën e sipërme. Fillimisht nuk i kushtoi rëndësi, por ajo që pa të nesërmen e la pa fjalë. Buza e saj ishte fryrë aq shumë sa dukej se kishte bërë një injeksion gjigant. Situata u përkeqësua më shumë kur ajo filloi të ndiente se buzët po i digjeshin, kishte të vjella dhe pasi humbi ndjenjat u dërgua menjëherë në spital.
Pasi iu nënshtrua ekzaminimeve specifike, mjekët arritën në përfundimin se ajo kishte kaluar një nga alergjitë më të rënda për shkak të komponentëve kimike që përmbante zbardhuesi. Madje analizat e përtejme treguan se zbardhuesi i dhëmbëve kishte përmbajtje të njëjtë me atë të rrobave. Clare ka ndarë historinë e saj duke ndërgjegjësuar të gjithë njerëzit, të mos përdorin produkte të pacertifikuara dhe të mos bie pre e kompanive pirate.