Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, raportohet se ka paguar 5 mijë funte për banorët e Palermos, pasi disa vendas të revoltuar protestuan kundër bllokimit të pjesëve të qytetit gjatë fundjavës së saj luksoze të martesës, duke lënë mesazhe dhe grafite nëpër rrugë.
Artistja 30-vjeçare pritet të kurorëzojë dashurinë me aktorin britanik Callum Turner, 36 vjeç, në një ceremoni madhështore që zhvillohet në kuadër të një feste treditore në Itali, e cila nisi me një koktej mirëseardhjeje në Palazzo Valguarnera Gangi.
Banorët e Palermos nuk kanë hezituar të shprehin pakënaqësinë e tyre. Sipas raportimeve të DailyMail, në pjesë të ndryshme të qytetit janë shfaqur grafite dhe mesazhe kundërshtuese lidhur me organizimin e eventit.
Një raport i ri pretendon se Dua Lipa ka ndarë 5 mijë funte si kompensim për banorët që jetojnë në apartamente me pamje nga zonat ku janë krijuar hapësira shtesë parkimi për dasmën.
Gazeta britanike raportoi se kishte vërejtur grafite me përmbajtje fyese të shkruara në një kolonë mermeri në sheshin ku u mbajt festa e mirëseardhjes të premten në mbrëmje.
“Atmosfera nuk përputhet shumë me historinë romantike që Dua duket se po përpiqet të krijojë”, tha një burim për The Sun.
Një tjetër mesazh i shkruar pranë sheshit Piazza Croce dei Vesper ishte: “Palermo nuk jepet me qira”, megjithëse më vonë ai u mbulua me bojë.
Pak para orës 17:30, dhjetëra qytetarë që ishin mbledhur në Piazza Sant’Anna për të parë mbërritjen e të ftuarve mbetën të zhgënjyer kur policia u kërkoi të largoheshin nga zona.
“Gjithçka duket paksa e ekzagjeruar. Ne vetëm donim të shihnim Dua Lipën dhe t’i uronim fat, por policia na tha të largoheshim”, u shpreh një banor i pakënaqur.
Për festën, sheshi ishte dekoruar me automjete klasike si Mercedes, Alfa Romeo Giulietta dhe Fiat 128. Mbi këtë të fundit ishte vendosur një pjatë me kunguj, domate, qershi dhe bathë, në stilin tradicional sicilian.
Po ashtu, ishte ngritur edhe një bar koktejesh në ambient të hapur, i dekoruar me pasqyra antike, ilustrime të skenave tradicionale të Sicilisë dhe rafte me libra.
Disa biznese lokale janë shprehur të zemëruara pasi janë detyruar të mbyllin aktivitetin më herët se zakonisht në një nga mbrëmjet më të frekuentuara të javës për qytetin, i cili vitet e fundit është bërë destinacion i preferuar edhe për turistët britanikë.
Galleria Moderna, që ndodhet përballë sheshit, u mbyll për publikun që në orën 14:00 të së premtes, pasi do të shërbejë si një nga lokacionet e festimeve. Sipas raportimeve, hapësira është marrë me qira për rreth 10 mijë funte.
Në zonë janë vendosur edhe barriera metalike për të krijuar korridore të sigurta, duke mundësuar që VIP-at të mbërrijnë me automjete pa u parë nga publiku.
Festimet nisën të enjten në mbrëmje me një koktej në ambient të hapur në hotelin luksoz Villa Igiea, ku po qëndrojnë Dua, Callum dhe shumica e mysafirëve.
Atë mbrëmje, ekipe të shumta sigurimi me fanella të zeza patrullonin zonën, duke monitoruar kalimtarët dhe përfaqësuesit e mediave.
Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, kryetari i Palermos, Roberto Lagalla, shprehu kënaqësinë që çifti kishte zgjedhur qytetin e tij për ceremoninë.













