2 fëmijë janë pak e 3 janë shumë! Duket se kjo është dilema e ditëve të sotme, ku për shkak të vrullit të shpejtë të jetës, e kohës së lirë tejet të limituar, çdo ditë e më shumë familjet shqiptare po bëhen më të vogla. Por disa prej emrave të njohur kanë zgjedhur të kenë një familje të madhe duke u bekuar me 3, 4 apo 5 fëmijë! E nisur nga kjo portreti i familjes së tyre është më i bukuri…
Redi Jupi: Simpatiku i futbollit shqiptar ka preferuar të ketë një familje, që në ditët e sotme quhet e madhe. Sot 11 vite nga njohja e tyre, Redi dhe bashkëshortja Vivian janë prindër të tre fëmijëve, vajzës Paris 10 vjeç, si dhe dy djemve Jakob dhe Eliot. Vogëlushët e familjes kanë një diferencë të vogël në moshë ndaj me siguri kur mami dhe babi kthehen nga puna gjejnë rrëmujën e bukur të tre fëmiëjve të tyre. E ku ka më bukur!
Aleksandër dhe Alba Frangaj: Presidenti i Tv Klan dhe zonja e tij janë prindër të tre fëmijëve, më I madhi Frenkli, e pas tij dy vajzat Emi dhe Nikol. Daljet publike janë tejet të rralla për trashëgimtarët e medias së njohur. Vetëm pak javë më parë patëm mundësi të njiheshim me zonjshën simpatike, Emi Frangaj, tashmë adoleshente e rritur mjaftueshëm për të marrë pjesë në eventet e Kryeqytetit. Ndërsa Frenklin dhe Nikolën nuk i njohim pothuajse fare.
Argita Berisha Malltezi: Tri vajza dhe një djalë është ‘pasuria’ e familjes së juristes së njohur. Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshorti i saj kanë zgjedhur të kenë një familje të madhe me katër fëmijë, të cilët me siguri krahas sfidave e lodhjes, u falin prindërve lumturi të pamat.
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta: Çifti i njohur i politikës shqiptare nuk ka dashur një familje të vogël, ndaj edhe pse në moshë fare të re, Monika dhe Iliri u bënë prindër të tre fëmijëve që në të 30-tat e tyre. Bora 20 vjeç, Besart 18 vjeç dhe më e vogla Era 13-vjeçare janë pasardhësit e Presidentit Meta dhe deputetes Kryemadhi.
Alaudin Hamiti: Edhe në Kosovë familjet e mëdha me shumë fëmijë po i përkasin së shkuarës, ndaj rrallë e më rrallë mund të gjesh të rinj që kanë 3 apo më shumë fëmijë. Moderatori i njohur i Klan Kosova është bërë baba për herë të parë në moshë të re, kur së bashku me bashkëshorten Yllkën mirëpritën dy djem binjakë, e vetëm pak vite më vonë familjes ju shtua edhe një vogëlushe me sy bojëqielli, e quajtur Eva. Duke qenë se Alaudini është ende shumë i ri, ndoshta nuk përjashtohet mundësia për të patur ndonjë pjestar të ri në familje.
Valbona Selimllari: Ajo u shpall si vajza më e bukur e Shqipërsië në vitin 1991 e duket ende nuk ka ndërmend ta lëshojë atë ‘kurorë’. Valbona ka sjellë në jetë tre fëmijë, dy djem dhe një vazjë të cilëve u ka trashëguar edhe genet e bukura.
Ermal Fejzullahu: Ai është vetëm 30 vjeç dhe është bërë tre herë baba. Këngëtari i njohur nga Kosova ka përjetuar emocionet e të bërit prind shumë herët, në moshën 20-vjeçare kur së bashku me bashkëshorten Arianën mirëpritën djalin Artin. Më vonë familjes do ti shtoheshin edhe dy vajzat Buna dhe Era. Megjithatë kështu si e ka nisur Ermali, me shumë mundësi familja do të zgjerohet edhe më.
Agron Tufa: Nëse ka një familje që mund të quhet me plot gojën e madhe, ajo është e shkrimtarit Agron Tufa dhe bashkëshortes Elvana Zaimi. Çifti ka pesë fëmijë, dhe me një diferencë të vogël mes tyre. E ftuar në Top Shoë dy vite më parë mami Elvana rrëfeu me humor se ndonjëherë i ngatërron edhe emrat (e kjo është mëse e kuptueshme). Vesa, Bubulina, Shendi, Fisnik dhe Agzot janë pesë bekimet e çiftit Agron dhe Elvana. E imagjinoni shtëpinë e tyre darkave kur janë mbledhur të gjithë?! Nuk mund të ketë portret më të bukur!
Valbona Çoba: Një prej miss-eve të para shqiptare e cila prej vitesh jeton në Los Angelos me bashkëshortin Todd Christopher dhe tre fëmijët e saj. Ajo tashmë ka një familje të madhe e të kompletuar, ku Aiden do të ishte bekimi i parë i çiftit, e pas tij kur i vogli ishte vetëm 1 vjeç e gjysmë, mami dhe babi i bëjnë ‘dhuratë’ edhe një motër Elirën dhe një vëlla Brandon. Pra ata sot janë pesë!
Diola Dosti: Dietologia e njohur që ka shkuar nuse në Kosovë është mami i tri vajzave! Nuk e dimë nëse familja ka plan të zgjerohet, por prindërit e rinj ndoshta do ta dëshironin edhe një djalë, krahas bekimit që kanë me vajzat.