Logjikisht, nuk ka asnjë arsye pse njerëzit duhet t’i frikësohen ditëve të javës. Por kur data 13 rastis në ditën e premte, atëherë ndryshon puna. Pse i frikësohemi kaq shumë?
Jane Risen, një shkencëtare bihejvioriste në University of Chicago Booth School of Business, thotë se besëtytnitë kanë ndikim te besimtarët dhe jobesimtarët. Në një studim, Risen zbuloi se edhe pse njerëzit e identifikonin veten si supersticioz ose josupersticioz, në të dyja rastet ishin të prirur të mendonin se një gjë e keqe mund t’u ndodhte për shkak të fatit të keq.
“Në përgjithësi, unë mendoj se kjo ndodh sepse fatkeqësitë janë të parat që na shkojnë në mendje. Ky lloj i të menduarit është më i përhapur për të premten, datë 13.”
Jane Risen thekson se kjo datë është një fenomen shumë i njohur kulturor. “Edhe kur nuk janë supersticiozë, njerëzit flasin për këtë datë sepse është një element i njohur në kultura të ndryshme. Kjo do të thotë se njerëzit priret t’i vënë re më shumë gjërat e këqija që ndodhin në këtë ditë.”
Nga vjen frika?
Është e vështirë të përcaktosh origjinën e një besëtytnie. Por Stuart Vyse, një profesor i psikologjisë në Connecticut College në New London, thotë se frika nga e premtja, datë 13 mund të jetë rrënjosur nga besimet fetare – i ftuari i 13 në Darkën e Fundit (Juda), tradhtoi Jezusin dhe kryqëzimi i Jezusit ndodhi ditën e premte, e cila është njohur edhe si dita e xhelatëve.
Kombinimi i këtyre dy elementeve prodhoi një lloj frike. Të tjerë studiues biblikë thonë se Eva e tundoi Adamin me frutin e ndaluar ditën e premte dhe se Abeli vrau të vëllain, Kainin, të premten, datë 13.
Thomas Fernsler, një shkencëtar në University of Delaware në Newark, thotë se një tjetër arsye pse njerëzit i frikësohen kësaj dite lidhet me numrin 13, që vjen fill pas 12. “Numerologët e konsiderojnë 12-n si numër të plotë. Ka 12 muaj të vitit, 12 shenja të zodiakut, 12 perëndi në Olimp, 12 fise në Izrael, 12 apostuj të Jezusit.”
Megjithatë kjo frikë nuk është e përhapur në të gjitha kulturat. Në Spanjë, ditë fatkeqe konsiderohet e marta, datë 13. Në besimet e lashta romake, dita më e tmerrshme konsiderohej e premtja, datë 17. Numri romak XVII mund të riorganizohet në XIVI që latinisht ka kuptimin “jeta ime ka mbaruar”.
Pavarësisht se janë thjesht besëtytni, njerëzit i tremben. “Nëse janë pjesë e kulturës, ne priremi t’i nderojmë,” thotë Thomas Gilovich, prefesor i psikologjisë në Cornell University në New York. “Ndihesh sikur po ta injorosh, do ta tërheqësh fatin e keq.”
Fobia nga kjo ditë njihet si Paraskevidekatriaphobia – bashkimi i fobisë nga numri 13 dhe fobisë nga dita e premte. Ndodh që një datë e tillë të përsëritet edhe dy herë brenda një viti dhe shumë rrallë tre. Gjatë 2019-s, u përsërit dy herë; në shtator dhe sot (e premte, 13 dhjetor).