Elhaida Dani ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm edhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Italisë. Këngëtarja shqiptare ka qenë pjesë e ‘musical’-it ‘Katedralja e Parisit’ në rolin e Esmeraldës që është shfaqur në disa shtete të ndryshme të botës. Së fundmi Elhaida sapo ka mbaruar turneun e saj në Kanada që ka zgjatur tre muaj. Pas përfundimit me sukses, këngëtarja është kthyer sërish në Itali dhe ka zbuluar një surprizë të madhe për fansat e saj në Shqipëri.
“Mbrëmë ishte finalja e turneut në Kanada që zgjati 3 muaj. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme. E ndoshta ku i dihet, së shpejti do kthehem për një koncert të madh për të gjithë shqiptarët dhe këtë herë do këndoj shqip. Tani është momenti të kthehem në shtëpi”, – ka shkruar këngëtarja bashkangjitur disa fotografive dhe videove të shkëputur nga shfaqja ‘Katedralja e Parisit’. Elhaida Dani është bërë shumë e njohur pasi u shpall fituese e ‘Top Fest 9’ dhe më pas fitoi zemrat e gjithë publikut kur përfaqësoi Shqipërinë në ‘Eurovision’ në 2015-ën.