Kur bëhet fjalë për çanta, çdo sezon ka çantën e tij që bën namin dhe që përzgjidhet nga thuajse pjesa dërrmuese e vajzave të famshme në të gjithë botën, shumë syresh prej tyre edhe shqiptare. Klasifikohet praktikisht si çanta më e shikuar, më e kërkuar dhe më e dëshiruar. Ky është statusi i saj. E tillë është edhe çanta që konsiderohet protagoniste e sezonit vjeshtë-dimër 2019. Çanta e ëndrrave që mban firmën e Louis Vuitton dhe quhet ‘Accessories Multi Pochette’.
Sigurisht, në metropolet e botës dhe në javët e modës çantat Dior janë kudo, edhe ato Gucci, Celine dhe Channel. Por, bumi i vërtetë i këtij sezoni që filloi me muajin e modës 2019-të në New York, London, Paris dhe Milano kishte si protagoniste absolute këtë çantë nga Louis Vuitton që si fillim u pa në shfaqjet e rëndësishme të modës, në stilin e rrugës, e më pas në Instagram dhe u fotografua dhe postua nga influencueset në të gjithë botën.
Është e vështirë të thuhet se si një çantë e projektuar nga një shtëpi mode bëhet çanta sezonale. Në vitin 2018-të ishte radha e Dior Saddle Bag e cila, pasi u rizgjodh nga Maria Grazia Chiuri, ishte kudo. Në të njëjtën mënyrë, shtëpia e modës Louis Vuitton dhe çantat me tre mini çanta ishin risia e vërtetë e modës së vjeshtës 2019-të. Përveçse është veshur nga personalitetet e botës së modës që diktojnë tendencat në mediat sociale dhe jashtë saj, suksesi i Louis Vuitton Multi Pochette qëndron edhe në faktin se risjell një miksim midis stilit klasik që dikur ishte popullor në vitin 2000 dhe modernes së ditëve të sotme.
Kjo modë sjell ndikim të jashtëzakonshëm në sezonin e momentit, por edhe gjatë dimrit. Përveç stilit, ajo është një gjetje krejt praktike dhe është objekt i dëshirës luksoze të momentit për shumë të famshëm!
Si thoni vajza? Do e blinit për një çmim që varion diku tek 1,600$? Tunduese apo jo!