Vetëm pak ditrë më parë, reperi Noizy publikoi këngën e tij më të re të titulluar “Gjuha e kampionit”, në tekstin e së cilës ra në sy përmendja e dy personazheve të rëndësishëm.
Në vargjet e këngës, Noizy shprehej se nuk kishte ëndrra në sirtar, por misione si Nazif Destani dhe se darkonte me Samir Manen.
Destani dhe Mane njihen si dy nga biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë: i pari i cilësuar si shqiptari më i pasur në botë me një pasuri prej më shumë se 3 miliardë dollarësh, ndërsa i dyti, për disa vite rresht, ka rezultuar biznesmeni më i pasur në Shqipëri.
Të dy këta emra të rëndësishëm kanë qenë të ftuar nderi në eventin “Oda” të mbajtur tre ditë më parë në Pallatin e Brigadave ku dhe kanë qëndruar në shoqërinë e moderatorit Ermal Mamaqi.
“Ja, duke bërë realitet këto këngët e Noizy-t!”-ka shkruar Mamaqi në Instagram, në përshkrimin e fotos ku ai shihet mes Manes dhe Destanit.