Fabian Basha është një nga ish-anëtarët e grupit të njohur dhe shumë të dashur muzikor, “Produkt 28”. Një ditë më parë ai ishte i ftuar në emisionin “Live From Tirana”, ku ka folur rreth famës dhe menaxhimin e saj.
Gjatë kësaj interviste, Fabiani ka zbuluar se si ka ndryshuar jeta e tij pas gjithë asaj vëmendje të njerëzve pas “Produkt 28”.
“Ne kemi pasur një stil jete shumë të mbyllur, nuk dilnim në Bllok, se ai ka qenë atëherë. Mundoheshim të mbanin një stil jete pak më të tërhequr dhe vetë stili jonë na dettonte që të ishim më shumë në studio se sa rrugëve. Fama kur të vjen në atë moshë, të vjen dhe me një impakt të vetin. Të detyron që të bësh disa zgjedhje pak më ndryshe, të sakrifikosh”, tha Basha.
Ndërsa i pyetur nëse kanë menduar që të rikthehet “Produkt 28” si grup, ai u përgjigj:
“Absolutisht. Jemi në kohën e rikthimeve. Jemi mbledhur në studio, kemi bërë disa sesione, një lloj pune paraprake ka nisur. Mbetet për t’u parë se si do të rakordohemi me gjithë impenjimet që kemi secili. Ai është problemi i vetëm. Se dëshira e mirë ekziston nga të gjithë, energjia është. Është thjesht çështja e kohës. “Produkt 28” është si fëmijë i yni dhe ne i detyrohemi shumë atij emri që na ka dhënë aq shumë. Dhe nuk mund ta rikthejmë “Produkt 28” për ta shfrytëzuar. Nëse Produkti rikthehet, rikthehet me materiale të reja, me ne të tre pjesëtarët në një epokë tjetër, me mendime të tjera, besnikë të ndjesive tona”.