EVENTI I VITIT/ Dasma e shumëpritur nga të gjithë, dalin detajet e reja - AlpeGossip
EVENTI I VITIT/ Dasma e shumëpritur nga të gjithë, dalin detajet e reja

EVENTI I VITIT/ Dasma e shumëpritur nga të gjithë, dalin detajet e reja

Na ndan vetëm 1 javë nga dita kur aktorja amerikane Meghan Markle do të martohet me Princin Harry të Mbretërisë së Bashkuar, në një ceremoni që do të zhvillohet në Kështjellën Windsor.

Është padyshim dasma më e shumëpritur e këtij viti, e cila pritet të tërheqë vëmendje maksimale nga përqark botës, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2011, kur vëllai më i madh i Harry-t, William, u martua me Kate Middleton, ceremoni e ndjekur nga rreth 2 miliardë persona.

Ndërkohë që përgatitjet e fundit të dasmës janë duke u zhvilluar, le të rikujtojmë së bashku se kush është Meghan Markle. 36-vjeçarja është një aktore amerikane, e njohur më së shumti për rolin e saj në dramën ligjore amerikane “Suits”. Por Markle nuk do të interpretojë më në këtë serial, një lajm i dhënë pas publikimit të fejesës së saj me Princin Harry, nëntorin e vitit të kaluar. Unaza e fejesës së Meghan përmban tre gurë: një diamant nga Botsvana dhe dy gurë të tjerë nga koleksioni i Princeshës Diana.

Ashtu si edhe bashkëshorti i saj i ardhshëm, Meghan është një aktiviste e shquar humanitare, e cila shpesh herë flet në mbështetje të të drejtave të grave. Në vegjëli, ajo ka ndjekur një shkollë katolike, por vetidentifikohet si protestante. Sipas mediave, Markle është pagëzuar dhe konfirmuar e tillë në Kishën e Anglisë, përpara ceremonisë së saj martesore.

Kjo në fakt nuk do të jetë martesa e parë për aktoren amerikane. Në 2011, ajo lidhi kurorë me producentin Trevor Engelson, vetëm për t’u divorcuar dy vite më vonë. Ashtu si Kate, bashkëshortja e William, as Meghan nuk do të bëhet një princeshë pas martesës me Harry-n. Gjasat janë që ashtu si vëllai i tij, Harry të bëhet një dukë, çka nënkupton se Meghan do të bëhet dukeshë. Cilido qoftë titulli, Harry ka shprehur besimin se bashkëshortja e tij e ardhshme do të mund të përballojë më së miri presionin që do të sjellë roli i saj i ri.

Ndërkohë, sa i përket disa detajeve nga ceremonia e shumëpritur e datës 19 maj, do të jetë babai i Markle ai që do ta shoqërojë atë në altar drejt Princit Harry. Prindërit e divorcuar të Meghan pritet të kenë role të rëndësishme gjatë ceremonisë së martesës së vajzës së tyre në Kështjellën Windsor.