ILDA BEJLERI ME NJË BIZNES TË RI/ Ja jeta e re si sipërmarrëse dhe puna për hobi në televizion – AlpeGossip
ILDA BEJLERI ME NJË BIZNES TË RI/ Ja jeta e re si sipërmarrëse dhe puna për hobi në televizion

ILDA BEJLERI ME NJË BIZNES TË RI/ Ja jeta e re si sipërmarrëse dhe puna për hobi në televizion

Ilda Bejleri ka hapur një qendër estetike dhe masazhesh në Tiranë, biznesin e ëndërruar, për të cilin ka investuar milionat. Moderatorja e “Procesit Sportiv”, pas pushimeve luksoze ka inauguruar biznesin e madh, për ngritjen e të cilit kishte muaj që punonte intensivisht.

Një qendër masazhesh dhe hamami është biznesi i bukurisë, pamjet e të cilit Ilda i ka publikuar, duke na prezantuar kështu me jetën e saj të re si sipërmarrëse, ndërkohë që punën në televizion e bën thjesht për hobi, nëse do të marrim në konsideratë që nga kjo punë ajo merr thjesht një rrogë. Një mikesha e saj shkruante: “Suksese Ilda!”, duke dhënë edhe më shumë detaje për këtë angazhim të ri të Ildës, larg televizionit.

Moderatorja pak kohë më parë u komentua për pushimet e saj luksoze dhe orën “Rolex” që mban në dorë, por menjëherë u dha një përgjigje të gjithëve, duke pranuar se vjen nga një familje e pasur bejlerësh të Tiranës dhe nuk i kanë munguar asnjëherë paratë. Më pas, ajo postoi në “Instagram” pamjet nga apartamenti luksoz, teksa shihej tek ecte në shtëpinë mjaft të madhe dhe të rehatshme.

Në një intervistë të fundit, Bejleri tha se vinte nga një familje zotërinjsh dhe për këtë arsye bënte edhe jetë luksi. Ajo foli edhe për pasurinë e trashëguar nga gjyshja. Në rrjetet sociale, një komentues e pyeti Ildën se si mundet që një gazetare në Shqipëri të ketë orë “Rolex” dhe ajo nuk hezitoi t’i përgjigjej kështu pyetjes 1 mijë dollarëshe: “Sqarim: fakti që jam gazetare dhe pa dyshim paguhem shumë mirë, nuk do të thotë që nuk kam të ardhura familjare, për më tepër që gjyshja ime vjen nga një familje e vjetër ‘tironce’ shumë e njohur e me tradita. P.s. Hera e parë që shpjegoj kaq shumë”, ka shkruar ajo.

Sa i takon punës në televizion, Ilda këtë sezon bëri ndryshimin e madh pas 11 vitesh punë në “Digitalb”. Për shkak të një konflikti me Dritan Shakohoxhën, ajo u largua nga imazhi i kësaj platforme, duke nisur një tjetër eksperiencë, atë të prezantueses së “Procesi Sportiv”. Në lidhje me largimin e saj, i pari që foli ishte Shakohoxha.

I ftuar në programin “Pushime on Top”, ai tha se vendimi për ta ndërprerë marrëdhënien profesionale me Ildën nuk u prit mirë nga kjo e fundit. “Mbase nuk e përjetoi mirë lajmin që i dhashë, por unë jam trajner, përveçse brigadier, dhe në periudhën e verës rikompozojmë skuadrën. Në gjithë këto vite kanë hyrë dhe kanë dalë nga kjo skuadër shumë personazhe dhe kanë vazhduar karrierën e tyre diku tjetër. Unë vetë e kam marrë në fillim në televizion bashkë me çunat e stafit dhe po ne vendosëm që të shihte opsion në një kanal tjetër. E përjetoi me shumë emocion largimin nga ‘Dixhitalb’, por ne kemi qenë ata që i kemi dhënë mundësinë dhe ajo e ka shfrytëzuar shumë mirë dhe ka punuar si profesioniste, por jemi prapë ne që do ta ndërrojmë”.

Por nuk vonoi shumë reagimi i Ildës, e cila me anë të një statusi në “Instagram” thumboi gjithë ironi Shakohoxhën. “Nga puna të heqin e të marrin pronarët e jo komentatorët e ndeshjeve”, shkruante ajo. E kuptohet nga kjo replikë dhe thashethemet se mes Ildës dhe Shakohoxhës kishte ndodhur një sherr. Sipas burimeve të “Panorama Plus”, shkak për këtë përplasje mes tyre është bërë një ridimensionim i hapësirave televizive mes prezantuesve.

Sipas burimeve, ai ka dashur t’u japë përparësi moderatoreve të reja, gjë që Ildës nuk i ka pëlqyer aspak, pasi do të mund të interpretohej si rënie nga froni. Por Ilda, edhe pse ishte më e përfolura e merkatos televizive për sezonin e ri, vazhdoi të jetë pjesë e kompanisë. Sa për jetën jashtë ekranit, ajo duket se e shijon gjithçka.

Kujtojmë që pas pushimeve të vitit të kaluar në ishullin grek Mykonos, gazetarja e sportit tha se e kaloi ndërrimin e viteve në Abu Dhabi, kryeqyteti dhe qyteti i dytë më i populluar i Emirateve të Bashkuara Arabe. E komentuar si gazetarja pa tabu, nga skenat erotike në spote te konflikti me Muç Nanon për dekoltenë, Ilda gjithmonë ia del të tërheqë vëmendjen.