ISH MILIONERI KANADEZ VRET TË ATIN NË GJUMË/ Prokurorët dyshojnë se e bëri për t’i marrë pasurinë – AlpeGossip
ISH MILIONERI KANADEZ VRET TË ATIN NË GJUMË/ Prokurorët dyshojnë se e bëri për t’i marrë pasurinë

ISH MILIONERI KANADEZ VRET TË ATIN NË GJUMË/ Prokurorët dyshojnë se e bëri për t’i marrë pasurinë

Një ish milioner kanadez dhe i dënuar më parë për dy vrasje është shpallur tashmë fajtor edhe për vrasjen e të atit, vdekja e të cilit fillimisht u përcaktua si vetëvrasje.

Dellen Millard qau në sallën e gjyqit kur gjykatësi e shpalli fajtor për vrasjen e të atit, Wayne Millard. Ai më herët ishte dënuar dy herë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Laura Babcock dhe Tim Bosma.

32-vjeçari Dellen Millard trashëgoi pasurinë e familjes pasi i ati u gjet i qëlluar me armë zjarri në kokë në vitin 2012. Fillimisht vdekja e tij u përcaktua si vetëvrasje, por të hënën një gjykatë në Ontario e shpalli atë fajtor për vrasjen e të atit teksa flinte.

Millard asokohe i kishte thënë policisë se i ati kishte qenë në depresion dhe i alkoolizuar, por punonjësit e familjes “MillardAir”, kompanisë ajrore të familjes, thanë se kishte pasur tensione mes të atit dhe të birit.

Zhdukja e Tim Bosma 6 muaj më vonë solli nisjen e një zinxhiri hetimesh që do të zbulonin përfundimisht se 32-vjeçari kishte vrarë tre persona. 3 muaj para vdekjes së wayne Millard, ishte zhdukur edhe Babcock.

Më vonë policia mësoi se ajo ishte përfshirë në një trekëndësh dashurie me Millard dhe të dashurën e tij të fundit dhe se 32-vjeçari kishte premtuar “ta heqë nga jeta e tyre”.

Trupat e Babcock dhe Bosma nuk u gjetën kurrë, por policia beson se ata ishin vrarë nga Millard dhe më pas janë djegur.

Prokurorët dyshojnë se Millard vrau të atin për t’i marrë pasurinë, të cilën ai po përpiqej ta përdorte në themelimin e një tjetër biznesi ajror.