“KANË KALUAR 6 VITE…”/ Fjodora Fjora: S’kemi pse flasim më si dhe pse Teo u bë djali im – AlpeGossip
“KANË KALUAR 6 VITE…”/ Fjodora Fjora: S’kemi pse flasim më si dhe pse Teo u bë djali im

“KANË KALUAR 6 VITE…”/ Fjodora Fjora: S’kemi pse flasim më si dhe pse Teo u bë djali im

Pak më shumë se gjashtë vjet më parë, Fjodora Fjora doli publikisht në kopertinën e revistës Living dhe tha se ishte bërë nënë. Moderatorja rrëfeu se kishte adoptuar një djalë të quajtur Alteo që vendosi ta rrisë si prind i vetëm. Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, shpeshherë, Alteo dhe mënyra si ai erdhi në jetën e Fjodorës, kthehen në tema bisede intervistë pas interviste.

E ftuar në “Pop Culture,” ajo u shpreh: “Unë mendoj që tanimë nuk kemi arsye pse të diskutojmë më mënyrën si Teo u bë djali im. Kanë kaluar gjashtë vite e gjysmë, Teo po rritet. Sigurisht, ai në asnjë moment të jetës së vet nuk ka pasur diçka për të fshehur, kam qenë e hapur që në fillim. Ai e di që fati im i madh ishte ta gjeja në një shtëpi të madhe, të bukur, plot me fëmijë dhe që nga gjithë këta fëmijë, Teo të bëhej pjesë e jetës sime. Pra, në çdo moment është informuar për realitetin në të cilin është rritur dhe për dashurinë e madhe që unë kam përjetuar që në momentin që e pashë për herë të parë.”

Diçka gjithashtu me rëndësi për Fjodorën është mosminimizimi i Alteos në thjesht djalin e adoptuar. Ajo imagjinon të ardhmen, kur djali të rritet dhe të lexojë për veten. Natyrshëm do t’i bëjë përshtypje që për shumicën e fëmijërisë është folur vetëm për adoptimin e tij.

“Do të doja të minimizoja sa më shumë abuzimin me titujt sepse tanimë portalet janë në një garë për audiencë dhe nuk e kuptojnë që kjo luftë cënon njerëz. Njeriu mund t’i përjetojë në mënyra nga më të ndryshmet ato që do lexojë nesër,” tha Fjora.

Për sa i përket një tjetër pyetjeje që i bëhet po aq shpesh, në lidhje me prezencën e një figure atërore, Fjodora qartësoi se Teo është mirëinformuar mbi llojet e familjeve dhe se mund të mbështetet te daja nëse ka nevojë.

“Teo ka mësuar që ka familje të divorcuara, ka prindër të vetëm, ka fëmijë pa motër ose vëlla, por ka edhe fëmijë me të dy bashkë. Bota është e tillë, me shumë diversitet dhe është e bukur pikërisht për këtë gjë,” përfundoi ajo.