Është e thjeshtë për t’u përdorur, kushton pak lekë, kursen kohën që mund të rrish në sallon, por ka disa arsye pse lyerja e flokëve në shtëpi të bën që t’u servilosesh parukierëve. Shumica e vajzave, me përjashtim të atyre që kanë fat, nuk arrijnë të nxjerrin ngjyrën që duan, me gjithë përpjekjet në zgjedhjen e ngjyrës perfekte sa herë blejnë bojën. Për të arritur një ngjyrë të bukur të flokëve dhe që të duket sa më natyrale, në fakt nuk është aq e thjeshtë. Pastaj, sipas ekspertëve, lyerja në shtëpi, shpesh është e paparashikueshme, sepse ndonjëherë është shumë më e fortë se ajo që përdoret në sallon.
Përveç amoniakut dhe kimikateve të tjera, të cilat mund t’i dobësojnë flokët, në disa raste, lyerja në shtëpi mund të të shkaktojë edhe alergji. Tsippora Shainhouse, dermatologe estetiste në Beverly Hills dhe instruktore klinike në Universitetin e Kalifornisë Jugore, thotë se janë të shumta kimikatet që mund të të shkaktojnë të kruajtura dhe skuqje jo vetëm të skalpit, por edhe të pjesës tjetër të lëkurës, fytyrë dhe trup: “Disa përbërës me përmbajtje të lartë kimike mund të shkaktojnë vazhdimisht skuqje të lëkurës ose të kruajtura që mund të zgjasin disa ditë deri në disa javë. Në fakt, kjo përsëritet, sepse në përgjithësi gratë i lyejnë rrënjët e flokëve çdo 4-6 javë.”
Një hairstylist tjetër i personazheve të njohur, George Papanikolas, thotë se arsyeja më e shpeshtë e lyerjes së flokëve në shtëpi janë thinjat, të cilat dalin shumë shpesh dhe i detyrojnë gratë t’i lyejnë më shumë vetë edhe për shkak të kostos së parukerive. Por, nga ana tjetër, këshillon ai, edhe thinjat duan një trajtim të veçantë, sepse ato janë edhe më agresive për marrjen e ngjyrës, ndryshe nga pjesa tjetër e flokëve. “Një stilist profesionist e di që mund të të vendosë një trajtim vetëm të rrënjëve apo të të gjithë flokëve, sipas nevojës.”
Përveç këshillave specifike, të gjithë specialistët bien dakord në një pikë: flokët kanë një histori të vetën sa i përket lyerjes dhe boja ndikon për t’i pasur gjithmonë të shëndetshëm. Në rast se do të vazhdosh të testosh me bojën, të provosh disa, njëra pas tjetrës, kjo natyrisht do t’i dëmtonte shumë flokët. Sado të përpiqesh t’i lyesh flokët vetë në shtëpi dhe të zgjedhësh bojën më të mirë, ajo kurrë nuk do të jetë aq e bukur sa ç’është kur i lyen në sallon. Po ashtu, nuk duhet të harrosh se boja reagon në mënyra të ndryshme në flokë të ndryshëm. Dikush që është bionde dhe kërkon të errësojë ngjyrën mund të mendojë se kjo është gjëja më e thjeshtë, por ndonjëherë reagimi i bojës sipas llojit të flokut mund t’i kthejë ato në të gjelbër. Apo dikush që i ka kafe mund të mendojë se 1-2 tone mund të çelen lehtë, por ndonjëherë ngjyra mund të dalë edhe portokalli.