Kodi i Etikës së Kuvendit të Shqipërisë është nën reformë. U propozuan nene për ngacmimin seksual, përdorimin e celularëve, fjalorit ofendues dhe dhunës fizike. Për projektligjin mund të lexoni më shumë këtu.
Së fundi u zbardh drafti i dakordësuar nga të dy palët. Në këtë version përfshihet edhe kodi i veshjes, i cili qartëson si më poshtë:
“Deputeti paraqitet me veshje zyrtare në përshtatje me funksionin që kryen. Për qëllim të këtij neni, veshja e deputetit duhet të përmbushë standartet e profesionalizmit dhe të modestisë, pa u bërë shkak debati dhe tërheqje vëmendje nga publiku.”
Pra, në parim dhe konsultim me standartet botërore të veshjes profesionale, Kuvendi shqiptar duhet të duket kështu. Për burrat, këmisha të bardha, kravata modeste, kostume në ngjyra të errëta dhe aksesorë cilësorë.
Këpucët mund të jenë Oxford, Derby ose Blucher.
Për gratë rekomandohen bluza ose këmisha me jakë të mbyllur, kostume të errëta klasike ose fustane seriozë, gjithnjë jo më të shkurtër se dy gisht mbi gju. Getat duhet të jenë të zeza ose neutrale dhe këpucë serioze.
Sipas kodit formal dhe profesional të veshjes nuk lejohen veshjet që tregojnë shumë lëkurë, sandalet, syzet e diellit dhe kapelat.
Nga gjuha e përdorur dhe mungesa e shembujve eksplicitë, disa aspekte të kodit të veshjes mbeten të pazgjidhur. Përshembull, a lejohen fustanet me mëngë të shkurtra ose pa mëngë për gratë? Në kongresin amerikan, jo. A lejohen këpucët e hapura përpara, si këto?
Për sa i përket fjalës modeste, a mund të veshin firma të njohura dhe të shtrenjta, apo bizhuteri prestigjoze deputetët shqiptarë? Një deputet me orë Audemars Piguet sigurisht që bëhet shkak debati. Reme Lala mori vëmendje për çantën e saj Chanel. Nëse ndodh sërish, ç’pasoja vuan deputeti?